A do të kandidosh për kryeministër? Si përgjigjet Gazment Bardhi

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, teksa ishte i ftuar në emisionin “Now”, është shprehur se momentalisht nuk ka ambicie për të kandiduar për kryeministër.

Gjithashtu, Bardhi tha se ai është mësuar që në politikë të ecë me hapa të vegjël.

Sipas Bardhit, kandidati për kryeministër dhe ekipi drejtues do të vendoset nga partia, pra nuk është një vendim individual.

“Nuk ka patur asnjë diskutim në PD se cili do të jetë ekipi drejtues. Nuk e kam si ambicie për kandidat për kryeministër në këtë moment, do të duhet të jenë strukturat e partisë që do të duhet të vlerësojnë se cili do të jetë ekipi më i mirë që ne do i prezantohemi qytetarëve. Në këtë moment që flasim unë nuk kam një ambicie të tillë.

Unë në politikë jam mësuar të ecë me hapa të vegjël dhe kjo është rruga më e mirë për një politikan, sepse po të mundi ambicia e madhe, vrapon më shumë se ç’të mbajnë këmbët edhe rrëzohesh dhe vështirë se ngrihesh më dhe shembujt janë të shumtë edhe në politikën shqiptare. Kjo është një vendimmarrje që i takon partisë dhe nuk mund të bëjmë diskutime në studio para se të diskutojmë në parti”, tha Bardhi.