Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, nuk ka dhënë një përgjigje të prerë kur është pyetur mbi barazinë e gjuhës shqipe me atë maqedonase.
Ai u pyet lidhur me këtë çështje, pasi priten ndryshime kushtetuese në Maqedoni, por shtoi se për këtë duhet të ketë konsensus nacional.
Kovaçevski u shpreh se një përgjigje të saktë nëse gjuha shqipe do të jëtë e barabartë me atë maqedonase, do e japë pasi të fillojë procedura.
“Kushtetuta ndryshohet në përputhje me procedurën kushtetuese dhe këtë mund ta komentojmë vetëm kur do të hapet diçka e tillë. Për këtë është e nevojshme shumicë prej 2/3 në Kuvend, që do të thotë se duhet konsensus nacional. Unë edhe dje u përgjigja në këtë pyetje – dhe ajo është se të gjithë qytetarët duhet në këtë shtet të kenë bazë që të mund të përparojnë në planin privat dhe profesional dhe e dyta – ne në shtet, por edhe në Evropë kemi dispozita ligjore ku në piedestal janë ngritur të drejtat e komuniteteve më të vogla, pasi një pjesë e madhe e tyre janë të përfshirë në Kushtetutë dhe gjithashtu kemi Ministri për Sistem Politik e Ligj për përdorimin e gjuhëve për komunitetet më të vogla. Sa i takon ndryshimeve kushtetuese, është legjitime të fillojnë procedurat për ndryshime kushtetuese. Duke u përfshirë të gjitha partitë politike dhe ekspertë, besoj se do të gjendet zgjidhje në dobi të të gjithë qytetarëve në shtet”, tha Kovaçevski./albeu.com/