Dy shoferë autobusi janë vënë në pranga dhe dy doganierë janë proceduar penalisht për një rast të futjes së mallrave kontrabandë në pikën kufitare të Kakavijës.
Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Shtetit përmes një njoftimi, ku bën me dije se të arrestuarit ishin banues në Tiranë e Berat.
“Njoftohet se specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë Gj. V., 31 vjeç, banues në Tiranë dhe E. Xh., 50 vjeç, banues në Berat (drejtues të autobusit).
Dy shoferët u vunë në pranga pasi gjatë kontrollit që iu bë autobusit që drejtonin në vendin e quajtur “Ura e Lumit” u gjetën mallra (veshje, produkte kozmetike dhe 40 steka me cigare), të cilat kanë futur në Republikën e Shqipërisë, pa i deklaruar në Degën Doganore Kakavije.
Në përfundim të veprimeve hetimore u proceduan penalisht për shpërdorim detyre Y. R., 50 vjeç dhe E. H., 47 vjeç banues në Gjirokastër, me detyrë doganierë në Degën Doganore Kakavije.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mallrat, vlera totale e mallrave shkon rreth 8000 euro”, thuhet në njoftimin e policisë./albeu.com/