“7 tetori po afron”/ Berisha: Pa votën e lirë, dinjiteti njerëzor nuk ekziston! Të betuar për çdo sakrificë

Nga dritarja e shtëpisë së tij, kreu i PD-së, Sali Berisha tha se pa votën e lirë, kombi nuk ka sovranitet të brendshëm, por është thjesht një shumësi e shtypur e narkodiktatorit, Edi Rama.

Berisha: Zonja dhe zotërinj, 7 tetori, ora 18 ditën e hënë po afron. Dhe kjo është beteja qytetare më e rëndësishme e 32 viteve. Kjo është beteja e guximtarëve për dinjitetin e tyre, për lirinë e tyre, për votën e lirë. Të dashur miq, pa votë të lirë nuk ka njeri të lirë. Pa votën e lirë dinjiteti njerëzor nuk ekziston. Pa votën e lirë, fatin tënd e ka në duar të zeza të tjerë

Pa votën e lirë, kombi nuk ka sovranitet të brendshëm, por është thjesht një shumësi e shtypur e narkodiktatorit, Edi Rama. Pa votën e lirë nuk ka të ardhme në vendin ku ke lindur, nuk ka të ardhme për të rintjë, për fëmijët tanë. Pa votën e lirë liria kombëtare është një shkretëtirë pa bimë, është një shkretëtirë e vdekur, e zbrazur.

Theksova këto fjalë vetëm e vetëm për të bërë të qartë se çfarë rëndësie jetike, çfarë rëndësie vendimtare ka beteja jonë për votën e lirë. Ndaj edhe, në këtë mision më i rëndësishmi në të ekzistencën e saj, PD nuk do të zhgënjejë kurrë shqiptarët. PD nis këtë mision e vendosur për çdo sakrificë. PD nis misionin e rikthimit të votës së lirë tek shqiptarët. E betuar për çdo sakrificë, e gatshme për çdo sakrificë.


Shtuar 4.10.2024 20:04