62 vjedhje në 15 provinca! Si u shkatërrua banda e shqiptarëve në Itali, mes tyre edhe një grua (VIDEO)

Një bandë grabitësish janë vënë në pranga në Itali ku mes tyre gjenden edhe shqiptarë. Mediat italiane bëjnë me dije se janë regjistruar 9 vjedhje në apartamente në më pak se dy muaj,  katër në Casatenovo e pesë në Verderio, midis nëntorit e dhjetorit 2019.

Banda ku merrnin pjesë edhe 6 shqiptarë, mes të cilëve edhe një grua kanë kryer gjithsej të paktën 62 vjedhje në banesa e 2 grabitje shtëpish në 15 provinca në Italinë e veriut, midis tyre në Leço, Varese, Milano, Bergamo, Brescia e Pavia në Lombardi; Venezia, Verona e Padova në Veneto; Parma, Ferrara e Rimini në Emilia Romagna; Verbania, Novara e Alessandria në Piemonte.

Katër prej tyre janë identifikuar e arrestuar: një 36-vjeçar që ndërkohë ishte në arrest shtëpie në Mozzate; një 35-vjeçar nga Savona; dhe një çift, ai 27, ajo 33 vjeç, banues në Segrate. Janë arrestuar të mërkurën në mëngjes nga karabinierët e komandës së Verbanias.

Dy të tjerët për momentin kanë arritur t’i humbasin gjurmët, ndoshta të larguar jashtë Italisë.

Gjatë kontrolleve, hetuesit kanë gjetur një pushkë të lehtë H&K kalibër 223 me dy karikatorë e 34 fishekë, dhe një pistoletë gjysmëautomatike Beretta 9×21 me dy karikatorë e 15 fishekë. Armët ishin të mbushura, me fishekë në gojë, gati për përdorim.

‘Pistoleta, provë e rrezikshmërisë ekstreme të tyre, u gjet në xhepin e njërës prej sediljeve të para të makinës, pra me shumë gjasa gati për përdorim’, tha koloneli i karabinierëve Alberto Cicognani. Nga kontrolli u gjetën edhe veshje, stoli e ora të vjedhura, si dhe një arsenal i vërtetë veglash për hapjen e dyerve e dritareve.

Hetimet zgjatën tre muaj, me ndjekje, përgjime , fotografime, si dhe me përgjim telefonash e analizë pamjesh të ndryshme nga sistemet e videove të sigurisë.
Hetimet filluan pas një tentative grabitjeje mbrëmjen e 7 nëntorit 2019 në Gignese, provinca e Verbanias, ku banditët, të cilët kërcënuan me thikë banoren e një vile që i kapi befasisht në veprim, u larguan me një Alfa Romeo Stelvio. E njëjta makinë është vënë re në fshatra të tjera ku janë denoncuar episode të ngjashëm. /albeu.com/

 

 


Shtuar 27.05.2021 15:55