Nxënësit dhe mësuesit e shkollës fillore “Ismail Qemali” në Çair të Shkupit kanë marshuar sot në nder të 5 nxënësve që humbën jetën në aksidentin tragjik në Bullgari.
Në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, ata vendosen lule për 45 viktimat e aksidentit tragjik të 23 nëntorit.
Një nxënëse teksa fliste për humbjen shokëve, u përfshi nga vaji.
Kërkoi që nxënësit dhe të gjithë familjarët e të humburve të mos zhyten në detin e pikëllimit, pasi siç tha, ai nuk ka fund.
“Jeta është me të vërtetë një enigmë e pazgjidhshme. Sjell çaste të gëzueshme si dhe çaste pikëllimi. Por, ja që Zoti deshi të na sprovojë me një ngjarje të trishtueshme, e cila po na duket të gjithëve joreale. Në kujtim të këtyre nxënësve, në kujtim të këtyre të rinjve, që humbën jetën tragjikisht, dua t’ju them gjithë moshatarëve të mi: Dhimbja dhe vaji do të jenë gjithmonë prezent në zemrat tona, e vetmja gjë që mban gjallë këta fëmijë, janë kujtimet të cilat na lidhin me ta. Andaj, mos u zhytni në detin e pikëllimi, sepse nuk i dihet fundi! Përpiquni të mbani veten të fortë dhe të unifikojmë forcën tonë së bashku”, tha nxënësja.