36 vite më parë vdiq Enver Hoxha, pamjet e fundit nga diktatori komunist (VIDEO)

36 vjet më parë, ndërroi jetë udhëheqësi më jetëgjatë në historinë e Shqipërisë.

Enver Hoxha, diktatori komunist që sundoi me “dorë të hekurt” për afro 40 vjet, ndërroi jetë më 11 prill të vitit 1985.

Ai ka mbajtur thuajse gjatë gjithë periudhës së sundimit të partisë së tij detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit Qëndror (e barazvlefshme me atë të kryetarit të partisë), detyrën e kryetarit të Frontit Demokratik dhe postin e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare (më pas Ushtria Popullore).

Periudha e sundimit të tij është karakterizuar nga një regjim i ashpër totalitar dhe është një nga figurat më të kontestuara në historinë e Shqipërisë.

Kritikët e regjimit e përmendin kryesisht për shtetëzimin total të ekonomisë, persekutim të kundërshtarëve politikë dhe politikë izolacioniste.

Mbështetësit e tij i njohin meritat për drejtimin e rezistencës dhe Luftës Antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore, për elektrifikimin dhe rindërtimin e vendit, për ndërtimin e një sistemi që punësoi gjithë shqiptarët dhe për sistemin arsimor e shëndetësor.

Sipas një ankete të OSBE, të vitit 2016, rreth 45% e shqiptarëve kanë mendim pozitiv për Enver Hoxhën, kurse 42% mendim negativ.

Për herë të fundit, Enver Hoxha është shfaqur në varrezat e Dëshmorëve të Kombit më 29 nëntor të vitit 1982.

Në kronikat e kohës ai shfaqet me një look të pazakontë: me flokët e gjata që konsideroheshin si ‘shfaqje e huaj’ për një qytetar të zakonshëm.

Imazhet e diktatorit komunist me flokët që ja valëviste era dhe me grushtin lart duke nderuar të rënët u shfaqën në televizionin shtetëror dhe gazetat e kohës.

Pas kësaj, sëmundja nuk e lejoi më Enver Hoxhën të vinte në kodrën në Sauk ku prehen eshtrat e Dëshmorëve të Atdheut.

Shtuar 11.04.2021 08:04