33-vjeçari ndërroi jetë duke salduar hekurat e lokalit, policia arreston administratorin e biznesit

Policia e Sarandës ka arrestuar në flagrancë administratorin e “Orange Club” në Sarandë, pas ngjarjes tragjike të ndodhur një ditë më parë ku humbi jetën 33-vjeçari Igli Gjoca.

Në pranga u vu shtetasi E. F., 40 vjeç, banues në Ksamil, për veprat penale “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “punësimi i paligjshëm”.

Të lidhura

None found

Nga hetimet paraprake dyshohet se viktima ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, ndërsa ishte i angazhuar në punë të ndryshme brenda objektit.

Igli Gjoca nga Bajkaj i Delvinës, ishte pronar i një servisi automjetesh në zonën e Vrionit dhe gjatë sezonit veror punonte edhe si kamarier në Sarandë. Sipas informacioneve nga JOQ ai ishte thirrur për të kryer punë në “Orange Club”, që nuk lidhen me profesionin e tij.

33-vjeçari, i cili pritej të bëhej baba së shpejti, dyshohet se ishte duke salduar struktura hekuri në ambientet e lokalit kur ka rënë në kontakt me kabuj elektrikë në tokë. Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Sarandës, por nuk ka mundur të mbijetojë.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësimi i paligjshëm”, shtetasin E. F., 40 vjeç, banues në Ksamil, administrator i një lokali në Sarandë, pasi dje, gjatë punës në këtë lokal, ka humbur jetën shtetasi I. Gj., 33 vjeç, banues në Sarandë, i cili ishte punësuar në mënyrë të paligjshme. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike. Vijojnë hetimet për dokumentimin e rrethanave të rastit.


Shtuar 10.04.2026 17:54