Rreth 30 familje nga zona e ish-Kenetës në Durrës, kanë protestuar para Bashkisë së qytetit, duke kërkuar një zgjidhje për strehimin e tyre.
Banorët ishin në proces legalizimi të shtëpive të tyre në dy rrugët “Azem Hajdari” dhe “Vala”, ndërkohë që Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka nisur investimet për infrastrukturën.
Rikonstruksioni i dy rrugëve, i cili ka nisur 5 vjet më parë, ka çuar në prishjen e banesave të tyre. Si pasojë, banorët kërkojnë dëmshpërblim për shtëpitë që humbën. Ata thonë se nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje në institucionet lokale, dhe kërkesat e tyre për strehim janë shtyrë për pesë vjet, pa marrë asnjë përgjigje.
Ky shqetësim është ngritur edhe para Avokatit të Popullit, i cili, me ekipin e tij, ka vizituar Bashkinë e Durrësit sot. Banorët kërkojnë të strehohen pranë banesave sociale të ndërtuara në Spitallë, ose që të gjendet një zgjidhje tjetër për ta. Ata e kanë depozituar kërkesën e tyre në Bashki, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.