Një konflikt mes dy familjeve ka shkaktuar tre te vdekur mesditën e sotme në qytezën e vogël të Klosit. Babë e bir, Kenado dhe Liri Shira u vranë në mes të Klosit nga plumbat e një pistolete.
Shkaku i konfliktit nuk dihet ende, ndërsa paraprakisht policia dyshon se viktimat kanë qenë rastësore pasi objektivi i autorit kanë qenë Eglantin Hasula dhe Renado Hasula, edhe këta babë e bir. Të dy ata janë të plagosur dhe fillimisht u trajtuan në spitalin e Burrelit dhe sëfundmi janë nisur për në Tiranë.
Pak minuta pas vrasjes së dyfishtë, autori i saj, Fiqiri Mjeshtri, në pamundësi për t’i ikur policisë ka drejtuar armën nga vetja dhe ka qëlluar duke humbur jetën menjëherë, raporton abcnews.al
Ndërkohë, policia e Klosit ka shoqëruar në ambientet e saj dy persona, mes tyre edhe Besnik Mjeshtri, vëllai i Fiqiri Mjeshtrit.
Policia
Në një deklaratë për mediat, kreu i Policisë së Dibrës, Dhimitraq ziu tha se policia është duke punuar për të zbuluar shkaqet e konfliktit që çuan në një bilanc tragjik si ky i sotmi.
Ai sqaroi se menjëherë pasi vrau dy personat në mes të Klosit, Fiqiri Mjeshtri është larguar për t’i shpëtuar policisë, por më pas ka qëlluar në drejtim të vetes duke humbur jeten në vend.
Ngjarja ka tronditur banorët e Klosit, të cilët kanë vënë duart në kokë pasi kanë parë vrasjen në mes të rrugës së babë e bir.
Objektivi
Burime bëjnë me dije se objektivë të Fiqiri Mjeshtrit nuk kanë qenë Kenado dhe Liri Shira, por Renado dhe Eglantin Hasula.
Shkaqet e konfliktit nuk dihen ende, por mësohet se Fiqiri Mjeshtri ka marrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të tyre duke i lënë të plagosur, ndërkohë që babë e bir, Kenado dhe Liri Shira mbetën të vdekur. 17-vjeçari Kenado Shira vdiq në vendin e ngjarjes, kurse Liri Shira disa minuta më pas në spitalin e Burrelit.