21 emigrantë të paligjshëm në furgon, bie në pranga shoferi në Pogradec

Policia ka vënë në pranga 35-vjeçari në Pogradec, që po transportonte 21 emigrantë të paligjshëm kundrejt shpërblimit, duke iu premtuar atyre vendet e BE-së.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë goditjet në kuadër të operacionit policor “Perimetri”.

U kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 35-vjeçari.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Sh., 35 vjeç, banues në Pogradec.

Shërbimet e Policisë Kufitare, kanë konstatuar në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, shtetasin e mësipërm duke transportuar me mjetin tip furgon të markës “Benz”, emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin e tyre drejt vendeve të BE-së.

Gjatë shoqërimit për në Komisariatin e Policisë, emigrantët e paligjshëm duke dashur të dilnin nga furgoni kanë hapur derën e tij me forcë dhe kanë mundur të largohen duke u shpërndarë nëpër qytet.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, menjëherë u angazhuan për gjetjen e tyre, ku 21 emigrantë të paligjshëm aktualisht ndodhen në ambientet e Komisariatit për procedurat e mëtejshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim./albeu.com


Shtuar 7.09.2021 19:57