20 vite më parë i mbytën gruan dhe djalin 3 vjeç në krevat, shkodrani shkon në Fier dhe firmos peticionin për dënimin me vdekje

Teksa në qytete të ndryshme të vendit vijon mbledhja e firmave për të rikthyer dënimin me vdekje, pas nismës së familjes së 8-vjeçarit të vrarë në mënyrë makabre në Fier, një moment vërtet i dhimbshëm është regjistruar në Fier.

Çesk Simoni ka udhëtuar nga Shkodra drejt Fierit për të firmosur peticionin e dënimit me vdekje, pasi vrasja makabre e Mateos i kujton mbytjen e djalit 3-vjeç dhe bashkëshortes së tij, 20 vite më parë nga vrasësi serial, Sadik Kuniqi.

Ai foli për mediat dhe u shpreh se vrasjet e fëmijëve janë kthyer në modë, ndërsa shteti vetëm vjedh dhe e ka kthyer Parlamentin në një spektakël argëtimi.

“E njëjta gjë më ka ndodhur edhe mua, sot e 20 vite më parë. Sa herë ndodhin të tilla fatkeqësi unë e kujtoj këtë dhimbje. Më kanë mbytur gruan dhe djalin 3-vjeç në krevat, mi mbyti Sadik Kuniqi. Ka pasur listën për të mbytur 40 veta me radhë, por shyqyr përfundoi tek unë. Ndodhi në 2002, përsëriten këta çdo 6 muaj. Shteti di vetëm të vjedhë, e ka kthyer parlamentin në Big Brother. Duhet të veprojë drejtësia.

Kam ardhur nga Shkodra për tu ngujuar, me familjarët. Do i them familjarëve të ngujohem, unë jam kryesori. Jam pro vendosjes së dënimit, e kam kërkuar 20 vite më parë. Çdo vit ndodhin, e kanë kthyer në modë. Tani fëmijët duhet t’i çosh në shkollë, janë bërë tmerr. E mbytën në burg, më ka vrarë dy vetë. Çdo viktimë që është fëmijë, e përjetoj. Duhet zhdukur ai njeri, ha bukë në burg. Thotë Rama s’të dënon shteti, por të dënon ligji. Ta dënojë ligji”, tha ai për Report TV.

Ngjarja tragjike në jetën e Simonit ndodhi në vitin 2002, kur Sadik Kuniqi vrau 4 persona me çekiç dhe misri. Më 28 janar të vitit 2002 ai i shkoi në shtëpi mikut të tij, Isuf Sula dhe në befasi vrau atë dhe të bashkëshorten e tij Sadeten. Pas kësaj vrasje Kuniqi telefonoi edhe vajzat e viktimave të tij të cilat ishin strehuar te xhaxhai i tyre duke u thënë se ishte çështje kohe dhe ekzekutimi i tyre.  Dy muaj më vonë në Mars të vitit 2002, shkoi në shtëpinë e një tjetër miku të tij, Çesk Simonit dhe në shtëpi gjeti gruan e Çeskut, Mirën, sëbashku me djalin e tyre 3 vjeçar, Xhekun.

8-vjeçari Mateo Vasiu u vra në mënyrë makabre nga Klodian Çalamani të martën, 16 nëntor, duke krijuar jo pak zemëratë dhe revoltë te qytetarët. Familjarët mësynë ditën e djeshme të gjykata e Fierit, ku do t’i jepej masa e sigurisë Çalamanit, për t’u përballur me vrasësin e të voglit të tyre, duke krijuar jo pak tensione. Ata kërkojnë dënimin me vrasje dhe vënien e drejtësisë në vend për Mateon.

Nga dje, familjarët e të miturit kanë nisur me mbledhjen e firmave në qytete të ndryshme të vendit në një peticion me qëllim rivendosjen e dënimit me vdekje. Ndërkohë, për shkak të zemëratës së madhe, Çalamani, të cilit iu caktua dje masa ‘arrest me burg’, u fut në izolim në burgun e Vlorë, për shkak të frikës së një sulmi në burgun e Fierit.


Shtuar 19.11.2021 23:06