20 mijë për këdo që ka informacion për autorët, Policia kërkon bashkëpunim për vrasjen në Tiranë

Policia e shtetit ofron 20 mijë euro për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në identifkimin e autorëve të masakrës në Don Bosko, në Tiranë, ku mbeti e vrarë Mimoza Paja dhe të plagosur 6 të tjerë.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar Policia fton qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje.

Cilido që ka informacion të telefonoje në numrin 069 41 11 546.

Sipas hetimeve të deritanishme dyshohet se Mimoza Paja u qëllua aksidentalisht nga dy autorët, që plagosën dhe pesë persona të tjerë.

Në lokalin në Don Bosko, ndodhej dhe mbesa 10-vjeçare e të ndjerës, e cila është lënduar nga copat e xhamit. Gjendja e të plagosurve është stabile, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Pronari i lokalit, Fatjon Murati ishte në arrest shtëpie momentin  e ngjarjes, pasi dyshohet se ka lidhje me vrasjen e Fushë-Krujës me tre viktima, mes tyre edhe djali i xhaxhait të Ervis Martinajt, Brilant Martinaj.

Ndërkaq sot, policia ka gjetur një mjet të djegur, që dyshohet se është përdorur nga autorët.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë rreth orës 21:00 te lokali i Fatjon Muratit, person i njohur në botën e krimit.

Për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër.

Dinamika e ngjarjes

Autorët janë afruar me automjetin tip BMW, me targa të huaja në rrugën “Anastas Shundi”, kanë ndaluar makinën përbri lokalit të shtetasit F. M., dhe dy nga autorët kanë zbritur nga makina duke hapur zjarr me breshëri në drejtim të lokalit. Pas kësaj autorët kanë hipur në automjet dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të spitalit ushtarak, kanë vazhduar në autostradën Tiranë – Durrës, kanë devijuar rrugën në mbikalimin e Vorës dhe kanë djegur automjetitn në fshatin Likmetaj.

Strukturat e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe me mbështetjen e Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë duke analizuar informacionet për autorë të dyshuar dhe për motivet e kësaj ngjarjeje.

Pronari i lokalit shtetasi F.M, është nën hetim nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal dhe po hetohej me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”. Më datë 07.03.2023, shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 3, në zbatim të procedurave standarde të punës, kanë kontrolluar dhe gjetur në banesë shtetasin F. M., ndërsa në kontrollin e datës 12.03.2023, gjatë kontrollit ky shtetas nuk është gjetur në banesë dhe është shpallur në kërkim dhe punohet për gjetjen dhe arrestimin e tij.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim prej 20 mijë euro, për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në identifkimin e autorëve. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të publikut numrin e telefonit 069 41 11 546.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në ditët në vijim do të japë informacion për ecurinë e hetimeve.
/albeu.com/