12 të vdekur dhe 32 të plagosur nga aksidentet vetëm në dy javë, policia kujtohet të marrë masa pas tragjedive

Kanë kaluar vetëm 2 javë nga muaji mars dhe bilanci i personave të vdekur dhe të plagosur nga aksidentet rrugore është tragjik.

Në 14 ditët e muajit mars numërohen 12 të vdekur dhe 32 të plagosur.

Policia rrugore e cila duhet të monitorojë qarkullimin rrugor në çdo orë të ditës, kujtohet të zhvillojë aksione policore vetëm në raste aksidentesh tragjike.

Në një njoftim zurtar thuhet se “efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë shtuar kontrollet në rrugët urbane dhe interurbane kryesore, me risk për aksidente rrugore, për shkak të mosrregullimit të shpejtësisë, kryesisht në qendrat e banuara dhe në afersi të vendkalimeve të këmbësorëve.”

Si rezultat i këtij operacioni të zhvilluar pas aksidenteve tragjike, janë konstatuar dhe proceduar 70 drejtues mjetesh, për mosrregullim shpejtësie dhe për gara shpejtësie.

Gjithashtu, duke konsideruar impaktin negativ që shumë të rinj japin në rrjetet sociale, duke publikuar shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, kryesisht shpejtësitë mbi normat e lejuara, garat e shpejtësisë dhe përdorimin e celularit, po vijon puna për identifikimin dhe procedimin e tyre, sipas shkeljeve të kryera.

Kujtojmë se të rinjtë në rrjetet sociale, veçanërisht Tik-Tok reklamojnë jetën e tyre të luksit dhe makinat e shtrenjta që drejtojnë tej normave të lejuara. Rasti i fundit u shënua ditën e djeshme.

Në një video të postuar në Tik-Tok një i ri dëgjohet teksa bërtet “Avion, avion”, ndërsa reklamon trimërinë e radhës duke ecur me shpejtësi skëterrë në një rrugë plot me makina , të ngushtë dhe me kthesa.

Në sfond dëgjohen vajzat që udhëtojnë me të t’i luten nga frika që të ulë shpejtësinë.

@albeu.com #shpejtesi #makine #avion #ulerim #frike #viral #fyp #policia ♬ original sound – ALBEU

Policia rrugore e cila duhet të jetë në shërbim të qytetarëve 24/7 për të konstatuar shkeljet rrugore nga drjetuesit e mjeteve, kujtohet të ndërmarrë aksione vetëm pas rasteve që përfundojnë në tragjedi.

Kujtojmë se disa ditë më parë, Audi i drejtuar nga 20-vjeçari Klevis Ruçaj përfundoi mbi kofanon e një makine tip “Honda” pasi po udhëtonte me shpejtësi skëterrë.

Ngjarja ndodhi te rrethrrotullimi i TEG-ut dhe Audi pasi theu barrierat “fluturoi” dhe përfundoi poshtë nënkalimit.

Nga aksidenti humbi jetën Klevis Ruçaj dhe dy vajzat pasagjere që udhëtonin me të. Ndësra tre personat që udhëtonin me mjetin tip “Honda mbetën të plagosur./Albeu.com/


Shtuar 14.03.2023 13:46