11-vjeçarja nga Durrësi përfaqësoi Shqipërinë në “Junior Eurovision”

“U mundova të jap më të mirën time dhe të përfaqësoj shtetin tim më mirë se kurrë”.

Ishte kjo deklarata e Kejtlin Gjatës, përfaqësueses së Shqipërisë në Eurovision-in për fëmijë.

Ndonëse u rendit e 12-ta me 94 pikë, ajo ia arriti qëllimit: të rrezatonte në skenë dritë për fëmijët që përjetojnë ditë të errëta në jetën e tyre.

“Për mua kjo eksperiencë ka qenë më e bukura, që do më mbetet gjithnjë në memorie. Kam punuar fort që të arrija aty dhe ia kam dalë me sukses,” – tha Kejtlin.

 “Ne qëndruam 8 ditë. Vizituam patjetër qytetin, pamë muze të ndryshme, bëmë prova sepse kishim dhe ditë të lodhshme, por edhe u kënaqëm,” – tregoi ajo.

Vetëm 11 vjeçe, Kejtlin po jeton tashmë jetën e një artisti.

 “Jam mësuar me skena të ndryshme, me programe e koncerte të ndryshme dhe për më tepër kjo është jeta e një artisti. Duhet puna, pasioni, por është edhe pak pjesë e fatit,” – u shpreh 11-vjeçarja.

Artistja e vogël nga Durrësi u zbulua nga konkurset e Qendrës Kulturore të Fëmijëve.

Kjo e fundit, edhe pse kaq e rëndësishme, është thuajse e braktisur nga pushteti vendor.

 “Kemi 2 mësues të talentuar, të cilët sot vijnë punojnë edhe në mënyrë vullnetare përshkak të kushteve që na janë krijuar. Sidomos pas tërmetit të 2019-ës dhe pandemisë gjithçka tek ne është bllokuar. Dhe ata vijnë punojnë 3-4 muaj me këta zëra të rinj,” – u shpreh Avni Çuni, drejtor i qendrës kulturore të fëmijëve Durrës./euronews.


Shtuar 1.02.2023 19:19