10 raste të reja me HIV këtë vit në Kosovë, shefi i repartit: Numri pritet të rritet

Numri i të prekurve me HIV të regjistruar në Klinikën Infektive që nga janari e deri tash është 10 raste të reja, por ka informata që ka edhe raste të tjera të reja që pritet të vijnë. Kështu bën të ditur shefi i repartit të HIV-it, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Murat Mehmeti, derisa thotë se ky numër pritet që të rritet në vazhdimësi.

Mehmeti në një prononcim për KosovaPress, tha se sipas informacioneve të marra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, numri i rasteve të prekura me HIV, është më i madh sesa që është i evidentuar.

Profesionsti shëndetësor, Murat Mehmeti potencoi se aktualisht një pacient i prekur nga HIV-i, është i shtrirë në Klinikën Infektive, i cili po merr trajtim mjekësor. Ai shtoi se homoseksualët janë komuniteti më i prekur nga ky virus.

Ndërkaq, Murati shtoi se moshat më të prekura nga HIV janë ata 20 deri në 25 vjeç dhe që kryesisht i takojnë gjinisë mashkullore. Ai shtoi se ky repart ka mungesë të stafit të mesëm, derisa potencoi se qëndrojnë mirë sa i përket furnizimit me barna esenciale.

Se numri i rasteve të prekura me HIV është në rritje e sipër, e thotë edhe drejtori i Qendrës Specialistike Psikiatrike “Labyrinth”, Safet Blakaj, i cili u shpreh se përdoruesit e drogës, marrëdhëniet intime mes gjinisë së njëjtë dhe faktorë të tjerë, po ndikojnë në shtimin e rasteve me HIV.

HIV është një virus që sulmon sistemin imunitar – mburoja e trupit kundër baktereve dhe viruseve me të cilat është në kontakt të vazhdueshëm. Simptomat e HIV-it janë ethet, dhimbja e kokës, lodhja, nyje limfatike të fryra, dhimbje të fytit dhe skuqje. HIV mund të bartet nga personi në person vetëm përmes lëngjeve trupore, si gjaku, sperma, dhe lëngu vaginal. HIV është gjendja që çon në sindromin e mungesës së imunitetit të fituar (AIDS). AIDS konsiderohet të jetë faza finale e HIV, e njohur gjithashtu si HIV i fazës 3. Me trajtim, shumica e personave që kanë HIV nuk kanë gjasa që të zhvillojnë AIDS.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë , që nga fillimi i epidemisë mbi 85 milionë  njerëz janë infektuar me virusin HIV, derisa rreth 40 milionë të infektuar kanë vdekur nga HIV. /KP/


Shtuar 29.10.2023 11:01

Tags: ,