Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës mbetet i pandryshuar. Presidenti ukrainas e bëri deklaratën gjatë vizitës në Beograd, ku zhvilloi një takim me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç.
Të lidhura
None found
Në daljen përkrah Vuçiçit, Zelensky ritheksoi pozicionin e Kievit, duke deklaruar se Ukraina nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Pas këtij qëndrimi reagoi Ministria e Jashtme e Shqipërisë. Sipas saj, situata e Prishtinës nuk mund të barazohet me atë të Kievit, ndërsa rasti i Kosovës duhet vlerësuar duke u mbështetur në rrethanat e veta historike, politike dhe juridike.
Ministria e cilësoi të rëndësishme vizitën e Presidentit Zelenski në Serbi, duke nënvizuar se dialogu është gjithmonë i mirëpritur, veçanërisht kur krijon mundësi që çështjet e vështira të trajtohen me qartësi, përgjegjësi dhe ndjeshmëri.
Në reagim thuhet se Shqipëria ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë fuqishëm sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe perspektivën evropiane të Ukrainës. Në të njëjtën mënyrë, vendi ynë qëndron fort në përkrahje të sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, si edhe të vendit që asaj i takon në familjen euroatlantike.
Ministria thekson se për këtë çështje nuk duhet të ketë paqartësi. Çdo tentativë për ta krahasuar Kosovën ose për ta vendosur atë në të njëjtin ekuacion me ndonjë situatë tjetër ndërkombëtare cilësohet e gabuar, oportuniste dhe thellësisht çorientuese.
Sipas qëndrimit zyrtar, çështja e Kosovës mbështetet në themelet e saj të veçanta historike, politike dhe ligjore. Me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përcaktoi qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Në reagim sqarohet se agresioni rus kundër Ukrainës përfaqëson një rast tërësisht tjetër. Ai përbën shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare, si dhe cenim flagrant të rendit ndërkombëtar të ngritur mbi rregulla.
Nga këndvështrimi i Shqipërisë, një Ballkan Perëndimor paqësor, i qëndrueshëm dhe evropian mund të ndërtohet vetëm duke pranuar realitetin dhe pakthyeshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Kjo pavarësi ka ndihmuar stabilitetin e rajonit dhe është pjesë e një të ardhmeje ku kufijtë nuk ndryshohen përmes forcës, ndërsa popujt dhe komunitetet kanë mundësi ta përcaktojnë të ardhmen e tyre në paqe dhe siguri.
Ministria rikonfirmon gjithashtu bindjen se Serbia dhe Kosova duhet të jenë pjesë e së njëjtës të ardhme evropiane.
Normalizimi i raporteve ndërmjet tyre, i cili në përfundim do të sillte njohjen e ndërsjellë, nuk do ta dobësonte Serbinë. Përkundrazi, një zhvillim i tillë do të ndihmonte në mbylljen e një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë së vonë të rajonit dhe do t’i hapte rrugë pajtimit të mirëfilltë, fqinjësisë së mirë dhe paqes së qëndrueshme.
Sipas reagimit, Ballkanit Perëndimor i nevojitet sot kjo energji pozitive, ndoshta më shumë se në çdo moment tjetër.
Vizita e Presidentit Zelenski në Serbi u shërben para së gjithash interesave të Ukrainës, çka cilësohet e kuptueshme dhe legjitime. Po kështu, shihet si pozitiv çdo veprim që e ndihmon Serbinë të distancohet më tej nga ndikimi keqdashës i Rusisë dhe të afrohet me Evropën.
Megjithatë, Ministria thekson se çdo angazhim duhet shfrytëzuar edhe për të forcuar një kuptim thelbësor: Ballkani Perëndimor duhet të ecë drejt së ardhmes dhe jo të kthehet pas.
