Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se Mali i Zi ka shënuar përparim të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Të lidhura
None found
Gjatë qëndrimit në Budva, Wadephul tha se synimi i Podgoricës për t’u bërë pjesë e BE-së po merr vëmendje në Bruksel dhe në kryeqytetet e vendeve evropiane.
Ministri gjerman e përmendi Malin e Zi si model për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ai njoftoi gjithashtu se është arritur një marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit rajonal në fushat e pajtimit dhe reformave.
Wadephul vizitoi Malin e Zi të mërkurën, me rastin e takimit vjetor të ministrave të Jashtëm të zhvilluar në kuadër të Procesit të Berlinit. Në mbledhjen e mbajtur në Budva morën pjesë edhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimović, si dhe Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Sipas Deutsche Welles, të transmetuar nga “Bota sot”, Wadephul shkroi në rrjetin social X se aspirata e Malit të Zi për anëtarësim në Bashkimin Evropian po dëgjohet si në Bruksel, ashtu edhe në kryeqytetet evropiane.
Në bisedën me homologun malazez, Ibrahimović, shefi i diplomacisë gjermane theksoi se shtetet që kanë vullnetin dhe kapacitetin për të përmbushur kushtet e anëtarësimit mund të bëjnë hapa të suksesshëm gjatë viteve të ardhshme.
Mali i Zi renditet ndër vendet më të përparuara të Ballkanit Perëndimor sa i përket integrimit evropian. Negociatat e tij për anëtarësim në BE nisën në vitin 2012.
Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian përfshin gjithashtu Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa Kosova mban statusin e vendit potencial kandidat.
Me një popullsi prej rreth 623 mijë banorësh, Mali i Zi synon të anëtarësohet si shteti i 28-të i BE-së deri në vitin 2028. Euroja përdoret në vend që nga viti 2002, ndërsa pavarësia nga bashkimi me Serbinë u shpall në vitin 2006. Në vitin 2017, Mali i Zi u anëtarësua në NATO.
Deutsche Welle raporton se rreth 80 për qind e qytetarëve malazezë e mbështesin anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Përparimi i shënuar në reformat ekonomike dhe demokratike ka bërë që Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, të deklarojë se negociatat teknike për anëtarësim mund të mbyllen deri në fund të këtij viti.
