“Vuçiç, je totalisht i izoluar”, 24 eurodeputetë thirrje BE: Nisni hetimet për manipulim të zgjedhjeve në Serbi

24 eurodeputetë kanë nënshkruar një letër përmes së cilës kërkojnë hetim të pavarur për mashtrimin në zgjedhjet e fundit në Serbi që nxorën fitues partinë e Aleksandër Vuçiçit.

Lajmi është njoftuar nga kryetari i Komisionit të Jashtëm të Bundestagut, Michael Roth.

“I dashur President Aleksandër Vuçiç kjo s’është as konspiracion as fushatë socialiste. Ju jeni totalisht i izoluar! 24 deputetë nga e gjithë Europa i bëjnë thirrje BE-së që të hetojë në mënyrë të pavarur akuzat për mashtrim dhe të bëjë rekomandime për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi”, ka shkruar ai.

Në letër këta deputetë europianë thonë se e duan Serbinë brenda një dekadë në BE, por se për këtë duhet një demokraci funksionale në Serbi.

 

 

“Në hijën e pretendimeve për manipulime masive zgjedhore gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe lokale serbe që u zhvilluan më 17 dhjetor 2023, i bëjmë thirrje BE-së të kryejë një hetim të pavarur për të gjitha parregullsitë zgjedhore të raportuara dhe pretendimeve për mashtrim. Qëllimi ynë i përbashkët është ta shohim Serbinë si anëtare të Bashkimit Europian brenda kësaj dekade. Një kërkesë e domosdoshme për këtë është një demokraci funksionale dhe shteti ligjor. Manipulimet masive zgjedhore të vëzhguara nga misioni ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe vëzhguesit e pavarur të shoqërisë civile janë shkelje të qarta të parimeve të zgjedhjeve të lira, të barabarta dhe të fshehta dhe të cilat s’janë në pajtim me këtë kërkesë. Kjo ngre shqetësime të mëdha për legjitimitetin e rezultateve zgjedhore në nivel kombëtar dhe veçanërisht në lidhje me zgjedhjet për Kuvendin Komunal të Beogradit”.

Deputetët europianë thonë se këto ngjarje dhe reagimi represiv i shtetit pas tyre, tregojnë një përshkallëzim të mëtejshëm të zhvillimit autokratik të vendit.