Vendet e QUINT-it kërkojnë pezullimin e rregullores së BQK-së

Ambasadat e vendeve të QUINT-it kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët në lidhje me rregulloren e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, më 28 janar 2024, përmes së cilës parashihet që euro të jetë monedha e vetme për kryerjen e transaksioneve.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara theksojnë se rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për operacionet me para të gatshme, e cila synon të reduktojë paratë e falsifikuara, të ruajë stabilitetin financiar, si dhe të rrisë transparenca e flukseve të parasë në Kosovë, megjithatë ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”, njofton Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia”, thuhet në deklaratën e ambasadorëve të QUINT-it.

Bëhet e ditur se pas takimit për këtë çështje me kryeministrin të premten, QUINT-ti kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik.

Sipas ambasadorëve të vendeve të QUINT-it, çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të Dialogut të Lehtësuar të BE-së.


Shtuar 28.01.2024 18:41