I ka kushtuar Lazios 18 milionë euro plus bonuset, por ka bërë shumë pak për të mos thënë asgjë në sezonin e parë si bardhekaltër. Megjithatë, Vedat Muriqi është nga ata lojtarë me potencial që nuk i bie lehtë vlera. Sipas medieve spanjolle, shtatlarti “dardan” pëlqehet shumë nga Valencia, në LaLiga, që po studion mundësinë për t’i bërë ofertë konkrete Lazios.
Një verë e çuditshme për kosovarin, i etur dhe i angazhuar maksimalisht për të zëvë vend në formacionin e Sarrit, ndërkohë që qarkullojnë zëra të merkatos që e largojnë nga Lazio.
Valencia thuhet se mendon për një huazim të thatë, por Lazio nuk ka gjasa të thotë “po” për këtë skenar gjendje. Ndoshta huazimi me detyrim blerjeje mund të jetë “ok” për drejtuesit lacialë.
Lotito dhe Tare, në rast të shitjes së Vedatit, duan të rikuperojnë shpenzimet e bëra në verën e vitit 2020. Interes për sulmuesin ka edhe nga Eintrachti i Frankfurti dhe Borussia e Moenchengladbachut.
Immobile konsiderohet titullar në majën të sulmit të Lazios, një mes Muriqit dhe Caicedo do të bëjë rolin e rezervës së parë. Përfundimisht, njëri prej tyre mund të largohet.