Vala e tretë e pandemisë e gjen Kosovën pa vaksina

Sot janë bërë një vit qysh nga shfaqja e rastit të parë me koronavirus në Kosovë. Pas një viti Kosova është duke shënuar shifra të larta të të infektuarve me Covid-19, derisa alarmant vazhdon të mbetet edhe numri i lartë i të vdekurve.

Sipas raportit të fundit nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), qysh nga fillimi i pandemisë për Covid-19,  për Covid-19 janë testuar 351 mijë e 523 qytetarë. Prej tyre 76 mijë e 688 kanë rezultuar pozitiv me virus.

Aktualisht numri i rasteve aktive është 10 mijë e 630, teksa 64 mijë e 362 persona janë shëruar.

E nga infektimi me koronavirus nuk arritën të mbijetojnë 1 mijë e 696. Kaq persona përgjatë këtij viti e humbën betejën ndaj këtij virusi.

Kosova ende pa vaksinë

Kosova është vendi i vetëm në rajon i cili nuk ka filluar ende imunizimin e tufës përmes vaksinimit. Ndonëse vendet e fqinje tashmë kanë filluar vaksinimin e popullatës me vaksinat kundër koronavirusit, në Kosovë ende as që kanë arritur këto vaksina.

Lidhur me këtë çështje është deklaruar dje kryeministri në detyrë Avdullah Hoti. Ai në Komitetin për Vlerësimin e situatës epidemiologjike tha se ardhja e vaksinës në Kosovë është çështje javësh.

“Më lejoni të them edhe njëherë, edhe për vaksinën jemi kritikuar, por ne kemi bërë të gjitha përgatitjet për të sjellë vaksinën sipas standardeve të BE-së. Nuk kemi hyrë në lojëra për të sjellë vaksinën nga vendet e lindjes, të cilat vaksina nuk janë të certifikuara nga vendet e Bashkimit Evropian. Ata që lëshojnë dezinformata që kritikojnë pa nevojë, nuk e thonë të vërtetën se kah kanë ardhur disa qindra mos të them as mijëra vaksina në vendet e regjionit me origjinë të dyshimtë.  Ne presim që mos të them për disa ditë, po disa javë të arrijnë vaksinat dhe të fillojmë vaksinimin sipas të gjitha protokolleve të Republikës së Kosovës dhe protokolleve të organizatave të Bashkimit Evropian”, ka thënë Hoti.

Me rritjen e numrit të rasteve të infektuara me virusin SARS-CoV-2, infektologë në vend thonë se ka filluar vala e tretë e këtij virusi.  Ata presin që kjo valë të mos jetë e përmasave të valës së dytë, derisa e shohin të rëndësishëm vaksinimin e popullsisë për menaxhimin e pandemisë.

Infektologët thonë se vendi së fundmi është duke u ballafaquar me këtë valë të tretë, e cila sipas tyre, ka mundur lehtësisht të evitohet.

Një fazë të re të shpërthimit të pandemisë COVID-19, e ka paralajmëruar ditë më parë edhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi.

Ai ka thënë se Kosova është në një fazë të re të të infektuarve dhe të shtruarve në institucionet shëndetësore dhe se po bëjnë maksimumin të ofrojnë shërbime mjekësore në mënyrë që asnjë pacient mos të mbetet i pa trajtuar.

Ndërsa, infektologu Ilir Tolaj, ka thënë për Express se Kosova po ballafaqohet me valën e tretë të pandemisë, e cila sipas tij ka mundur të evitohet lehtësisht.

“Fatkeqësisht papërgjegjësia e plotë e politikës që rezultoi me shkeljet brutale të masave elementare anti-COVID gjatë fushatës zgjedhore, rezultoi me prishjen e kësaj situate epidemiologjike të volitshme në Kosovë, duke u manifestuar me valën e tretë”, ka thënë ai.

Tolaj është shprehur se beson që kjo valë e tretë nuk do të ketë përmasat e valës së dytë dhe se numri i rasteve të reja me COVID-19 nuk do të jetë i papërballueshëm për sistemin shëndetësor.

Në këtë situatë, Tolaj e ka parë të rëndësishëm vaksinimin e qytetarëve, por ka thënë se vaksinimi i një numri të vogël të popullsisë, nuk do të jetë shumë ndikues në ecurinë e pandemisë.

“Vaksinimi i një numri të konsideruar të qytetarëve të Kosovës, me siguri që do ta përmirësonte situatën epidemiologjike dhe do të ndihmonte në krijimin e nivelit të imunitetit kolektiv i cili do të kthente Kosovën në kushte të funksionimit gati normal. Kur e them këtë mendoj për shifrat 300,000 persona të vaksinuar. Vaksinimi në përmasa simbolike, pos efektit mbrojtës për të vaksinuarit, nuk do te jetë shumë ndikues në ecurinë e pandemisë. Fatkeqësisht autoritet e Kosovës kanë dështuar që të sigurojnë vaksina me kohë dhe në numër të mjaftuar”, ka shtuar ai.

Një valë të tretë të COVID-19, tashmë që një kohë e ka paralajmëruar edhe Oda e Mjekëve të Kosovës.

Kryetari i kësaj Ode, Pleurat Sejdiu, ka thënë për Express, se gjatë konsultave që kanë pasur me mjekët, është thënë se shumë shpejtë Kosova do të jetë para një vale të re të infeksionit.

Ndërsa, ndonëse numri i pacientëve të hospitalizuar me COVID-19 në institucionet publike shëndetësore është rritur, ai ka thënë se gjendja po menaxhohet.

“Duke marrë parasysh konsultat që kemi pasur me kolegët tanë është thënë që shumë shpejtë do të jemi para një vale të re të virusit. Gjatë këtyre ditëve dëmi nga virusi është bërë i madh. Vetëm se e kemi brenda shtëpive në masë infeksionin”, ka thënë ai.

Në 24 orët e fundit 578 raste të reja e tetë të vdekur.

Ndërsa vetëm në 24-orët e fundit nga testimi i 3 mijë e 142 mostrave të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, 578 raste rezultojnë pozitive.

Brenda 24 orëve janë raportuar 8 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 2 raste (92, 84 vjeç), Gjakovë 1 rast (70 vjeç), Gjilan 1 rast (71 vjeç), Klinë 1 rast (83 vjeç), Rahovec 1 rast (74 vjeç), Viti 1 rast (64 vjeç), Vushtrri 1 rast (67 vjeç).

Ndërsa rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 173 raste, Gjilan 53 raste, Fushë-Kosovë 39 raste, Lipjan 32 raste, Gjakovë 31 raste, Vushtrri 31 raste, Mitrovicë 30 raste, Pejë 29 raste, Prizren 28 raste, Podujevë 24 raste, Kamenicë 17 raste, Ferizaj 16 raste, Deçan 9 raste, Suharekë 9 raste, Drenas 8 raste, Shtime 7 raste, Istog 6 raste, Dragash 5 raste, Malishevë 5 raste, Graçanicë 4 raste, Obiliq 4 raste, Skenderaj 4 raste, Kaçanik 3 raste, Klinë 3 raste, Rahovec 3 raste, Viti 3 raste dhe Novobërdë 2 raste.


Shtuar 13.03.2021 20:21