Më 9 prill të këtij viti bëhen 13 vjet prej kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Akti më i lartë juridik i shtetit ka hyrë në fuqi më 15 qershor të vitit 2008.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar qytetarët e Kosovës, me rastin e 9 prillit, Ditës së Kushtetutës.
Ai ka thënë se kushtetuta ka mision parësor ruajtjen e vlerave themelore demokratike, sigurimin e stabilitetit dhe forcimin e drejtësisë.
“Kushtetuta është akti themeltar dhe bazamenti ligjor suprem – është vetë shteti. Duke qenë normë supreme, Kushtetuta ka mision parësor ruajtjen e vlerave themelore demokratike, sigurimin e stabilitetit dhe forcimin e drejtësisë”, thuhet në urimin e kryetarit Konjufca.
Ai ka thënë po ashtu se populli i Kosovës ka rrugëtuar me shekuj, brez pas brezi, drejt synimeve për shtet të mëvetësishëm.
“Rrugëtimi ynë për të arritur deri te dita e sotme ishte i vështirë dhe përplot dhembje. Por nuk u dorëzuam asnjëherë, sepse ishim në të drejtën tonë, konform vlerave demokratike për liri e pavarësi. Prandaj sot, në Ditën e Kushtetutës, bashkë me urimin drejtuar të gjithë qytetarëve të vendit, kujtojmë dhe i përulemi me respekt të përgjithmonshëm sakrificës sublime të brezave që gravuan Kushtetutën dhe vulosën themelet e shtetit tonë”, thuhet pos tjerash në urimin e Konjufcës.
Kushtetuta e Kosovës është e bazuar në dokumentin e ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari, sipas së cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës më 17 shkurt, 2008.
Kushtetuta, Kosovën e definon si një shtet demokratik dhe laik, me shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet e tjera./REL