Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë bëri të ditur të dielën, më 2 gusht, se në pikëkalimin kufitar Horgosh, në kufi me Hungarinë, është arrestuar një person me inicialet M.M., i lindur në vitin 1981. Ai dyshohet për veprën penale “krim lufte kundër popullsisë civile”.
Të lidhura
None found
Në njoftimin e saj, MPB-ja serbe nuk e publikoi identitetin e plotë dhe as shtetësinë e personit të ndaluar.
Autoritetet serbe pretendojnë se më 26 korrik 1999, në fshatin Kllobukar të Kosovës, i dyshuari kishte “kryer krim lufte ndaj dy personave me inicialet T.S. dhe S.S”.
Arrestimi, sipas palës serbe, u realizua nga pjesëtarët e Shërbimit për Zbulimin e Krimeve të Luftës, në bashkërendim me Shërbimin për Luftimin e Terrorizmit dhe Policinë Kufitare.
Ndaj të dyshuarit është vendosur masa e ndalimit deri në 48 orë. Pas përfundimit të kësaj mase, ai pritet të dërgohet, bashkë me kallëzimin penal, në Prokurorinë Publike për Krime Lufte në Serbi.
Avokati Arianit Koci kishte deklaruar më herët gjatë ditës se personi i ndaluar nga autoritetet serbe është shtetasi i Kosovës, Mentor Mustafa.
Në një deklaratë për KosovaPress, Koci tha se Serbia ndërmerr arrestime të tilla sa herë që në Kosovë zhvillohen hetime që lidhen me krimet e luftës.
Gjatë javës së kaluar janë kryer gërmime në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, në një lokacion ku dyshohet se ndodhen mbetjet mortore të 23 intelektualëve nga Mitrovica, të zhdukur gjatë luftës së fundit.
Koci deklaroi se, bazuar në përvojën e tij shumëvjeçare si avokat në raste të kësaj natyre, veprimet e autoriteteve serbe shpesh pasojnë zhvillimet e rëndësishme që kanë të bëjnë me hetimin e krimeve të luftës në Kosovë. Sipas tij, kjo krijon përshtypjen se po synohet një lloj barazimi i krimeve. Ai shtoi se arrestimi kishte ndodhur mbrëmjen paraprake, ndërsa vetë ishte informuar herët në mëngjes, dhe se rasti tashmë ishte konfirmuar edhe nga autoritetet serbe. Koci theksoi se ndalimi vjen pikërisht në një kohë kur në Kosovë po kryhen hetime të rëndësishme për krime lufte.
Deri tani, institucionet e Kosovës nuk kanë publikuar ndonjë informacion lidhur me arrestimin e Mentor Mustafës.
Avokati Koci kërkoi angazhim më të madh nga institucionet kosovare, duke theksuar nevojën për reagim dhe koordinim më të shpejtë.
