Trupi i pajetë i alpinistit nga Kosova i cili humbi jetën pasi ra nga lartësia është nxjerrë ditën e sotme. Mësohet se trupi i pajetë i alpinistit 30-vjeçar do të transportohet drejt morgut.
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e premte (26 korrik), në vendin e quajtur “Maja e thatë” mbi Valbonë. Ndërkohë mësohet se tre persona të tjerë të cilët kishin mbetur të bllokuar janë nxjerrë në gjendje të mirë shëndetësore.
Njoftimi i plotë:
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e premte, për një shtetas kosovar, i cili në vendin e quajtur “Maja e thatë”, dyshohet se për shkak të terrenit të thepisur malor, kishte rënë nga një lartësi dhe për pasojë kishte humbur jetën, ju informojmë se;
Kërkimet kanë vijuar që prej mëngjesit të sotëm nga shërbimet e Policisë Tropojë së bashku me ekipin e kërkim-shpëtimit malor të Kosovës.
Nga ekipi i kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të shtetasit 30 vjeç, i cili do të transportohet drejt morgut.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë Tropojë dhe ekipi i kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë dhe tre shtetas të tjerë kosovarë të cilët kishin mbetur të bllokuar dhe ishin në gjendje të mirë shëndetësore.