Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka komentuar propozimin e draft statutit për Asociacionin nga kryeministri Edi Rama. Ai nuk e ka mirëpritur draft statutin e propozuar nga kryeministri Edi Rama për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një intervistë për Al Jazeera Balkans, Bislimi tha se çështja në veri ka të bëjë me Kosvën dhe Serbinë. Ai tha se Kosova nuk kërkoi ndihmë sa i përket hartimit të një draft statuti për Asociacionin, e rrjedhimisht, nuk ka relevancë propozimi i kryeministrit Rama.
“Diskutimet apo negociatat janë mes Kosovës dhe Serbisë drejt normalizimit të marrëdhënieve. Këto negociata janë mes kosovarëve dhe serbëve. Nëse përfaqësuesit e Republikës së Kosovës kanë nevojë për përkrahjen nga miq dhe ndërkombëtarë…në këtë pikë ne nuk kërkuam që dikush të na ndihmojë për draft statutin. Për këtë arsye, nga përspektiva ligjore ky propozim ka zero relevancë” ka deklaruar Bilmimi.
Teksa prezantoi propozimin, dy ditë më parë Rama tha se “dokumenti është konfidencial”, por u shpreh i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”./albeu.com/