Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bisedoi me kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, në kuadër të Samitit XIII të Procesit të Berlinit, i cili po zhvillohet në Budva të Malit të Zi.
Në një postim në Facebook, Kurti njoftoi se Merz e uroi për mandatin e ri. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e partneritetit mes Kosovës dhe Gjermanisë për integrimin evropian dhe zhvillimin ekonomik.
Të lidhura
None found
Sipas Kurtit, takimi shërbeu edhe për të diskutuar mbi Procesin e Berlinit. Ai kujtoi se Gjermania e nisi këtë nismë më 2014, duke krijuar një platformë ku gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor trajtohen si të barabarta dhe bashkëpunojnë për interesat e përbashkëta.
Kurti foli edhe për marrëveshjet e arritura në këtë kuadër, mes tyre udhëtimi me letërnjoftime dhe njohja e diplomave. Ai tha se Kosova i ka zbatuar të gjitha marrëveshjet e nënshkruara dhe se këtë duhet ta bëjnë edhe vendet e tjera të rajonit, pasi askush nuk duhet ta pengojë përparimin e Ballkanit Perëndimor.
Postimi i plotë:
Sot, në Samitin XIII të Procesit të Berlinit, i cili mbahet pas vendimit të Bundestagut që ushtarët gjermanë të vazhdojnë qëndrimin në Kosovë në kuadër të KFOR-it, zhvillova një bisedë me kancelarin Friedrich Merz. Ai më uroi për mandatin e ri.
Kur e nisi këtë nismë në vitin 2014, Gjermania krijoi një hapësirë ku gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor bashkëpunojnë dhe trajtohen në mënyrë të barabartë.
Në kuadër të procesit kemi nënshkruar marrëveshje për udhëtimin me letërnjoftim dhe njohjen e diplomave, të cilat i kemi zbatuar të gjitha. Të gjitha vendet duhet të veprojnë njësoj, sepse askush nuk mund ta mbajë rajonin peng.
Investimet e drejtpërdrejta gjermane në Kosovë kapin rreth 1,5 miliardë euro, ndërsa 62% e tyre janë bërë vetëm gjatë pesë viteve të fundit. Ka potencial të madh në industri, energji, transport, TIK dhe arsim profesional. Javën e ardhshme, Prishtina do të presë Forumin e tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar.
Gjermania është pjesë e së ardhmes sonë evropiane. Faleminderit, kancelar Merz!






