Rritje e pagave është një prej premtimeve më të shpeshta të partive politike në dy javët e para të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të nëntë shkurtit. Bedri Hamza, kandidat për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës madje rritjen e pagave synon ta bëjë brenda një viti.
“Pagat kemi me i rritë për 50%”, shprehet Bedri Hamza, kandidat për kryeministër, PDK.
Investime kapitale dhe zhvillimi ekonomik po ashtu kanë zënë vend në programet me të cilat garojnë kandidatët për kryeministër. Investime miliardësh, premton edhe kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike, Lumir Abdixhiku.
“Një program që i ka pesë miliardë euro investime, një program që i ka pesë miliardë euro buxhet”, shprehet Lumir Abdixhiku, kandidat për kryeministër, LDK
Monitoruesit nga Demokracia në Veprim thonë këto premtime janë më të shpeshta pasi prekin direkt qytetarët.
Partitë opozitare e kanë theksin më shumë tek çështjet e mirëqenies që janë çështje të arsimit dhe të ekonomisë, si dy fusha kryesore për zhvillimin e vendit.
Ndërkohë, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur të fokusohet në situatën në veri, duke e portretizuar si arritje.
“Sot kushdo mund të shkojë, kurdo përtej Ibrit e të pijë kafe atje”, thotë Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Demokracia në Veprim thonë se vetëm në javën e parë të fushatës, veriu ka qenë 22 herë i përmendur si arritje.
Arsyeja pse Lëvizja Vetëvendosje mund të ketë folur më shumë për veriun është sepse si temë e ka trajtuar gjatë qeverisjes katër vjeçare dhe e ka si pikë të cilën dëshiron ta theksojë më shumë gjatë fushatës.
Ndërkohë, Koalicioni për Kosovën Fituese nga partitë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, po garon me premtimin për anëtarësim në NATO, përcjellë me premtimet për rritje pagash, investime e zhvillim ekonomik.
“Votoni për NATO, për ekonomi, për familje”, thotë Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër, AAK.
Fushata elektorale në Kosovë ka nisur më 11 janar dhe do të zgjasë deri në hapjen e qendrave të votimit më 9 shkurt.