Me rastin e 31-vjetorit të themelimit të gazetës “Bota Sot”, rikthehet në qendër të vëmendjes pesha që kjo gazetë ka pasur në evidentimin e ngjarjeve të rëndësishme kombëtare dhe shoqërore për shqiptarët.
E krijuar në një kohë të rëndë për Kosovën, kur shqiptarët jetonin nën okupimin serb dhe pa liri informimi, “Bota Sot” mori rolin e një burimi të rëndësishëm lajmesh dhe të një arkivi të gjallë të zhvillimeve historike, politike dhe kombëtare.
Të lidhura
None found
Përmes raportimeve, analizave dhe dëshmive të kohës, kjo gazetë ka ndihmuar në ruajtjen e kujtesës kolektive, duke lënë gjurmë me rëndësi për brezat e sotëm dhe për ata që do të vijnë.
Për më shumë se tri dekada, “Bota Sot” ka pasqyruar etapa vendimtare për shqiptarët, nga vitet e rezistencës paqësore dhe lufta për çlirim, te shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe zhvillimet politike e shoqërore që pasuan.
Në këtë rrugëtim, ajo nuk ka shërbyer vetëm si medium informues, por edhe si dëshmi e shkruar e proceseve dhe ngjarjeve që kanë formësuar historinë moderne të Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Mehazi: Sot e kësaj dite ‘Bota Sot’ është burim i rëndësishëm i ngjarjeve kombëtare, politike e kulturore
Bashkëpunëtori i gazetës “Bota Sot”, Sulejman Mehazi, e ka vlerësuar lart rolin e saj përgjatë 31 viteve të ekzistencës, duke theksuar se ajo ka qenë një dëshmi me peshë për zhvillimet historike, politike dhe kulturore të shqiptarëve.
Sipas tij, “Bota Sot” ka ndihmuar në ruajtjen e kujtesës kolektive, ka nxitur diskutime publike për çështje kombëtare dhe vazhdon të mbetet një burim i rëndësishëm informacioni në hapësirën mediatike shqiptare.
Mehazi i ka uruar gazetës vazhdimësi dhe suksese të tjera në të ardhmen.
“Që nga themelimi më 26 qershor 1995 e deri më sot, kontributi i ‘Bota Sot’ ka luajtur rol në ruajtjen e kujtesës kolektive të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Gazeta ‘Bota Sot’ është dëshmi e gjallë, e saktë dhe e qartë e ngjarjeve historike 31-vjeçare në Kosovë, rajon dhe botë.
‘Bota Sot’ ka nxitur debate publike mbi çështje të rëndësishme kombëtare, duke kontribuar në formimin e opinionit publik.
Sot e kësaj dite ‘Bota Sot’ është burim i rëndësishëm i ngjarjeve kombëtare, politike e kulturore me ndikim në hapësirën mediatike shqiptare. Gazetës mbarëkombëtare ‘Bota Sot’ i dëshirojmë suksese dhe jetëgjatësi mediatike!”, thotë ai.
Mehmeti: Në 31-vjetorin e saj, roli i saj ka evoluar nga media informuese në një aktor me ndikim në debatet publike
Edhe një tjetër bashkëpunëtor i “Bota Sot”, Gani Mehmeti, vlerëson se që prej themelimit më 26 qershor 1995, gazeta është renditur ndër më jetëgjatat në Kosovë, duke përcjellë zhvillimet kryesore politike, shoqërore dhe kombëtare.
Ai thotë se “Bota Sot” e vijon misionin e saj informues edhe në format elektronik, ndërsa kontribuon në debatet publike, në dokumentimin e historisë dhe në ruajtjen e kujtesës kolektive të shqiptarëve.
“Si një nga gazetat me jetëgjatësinë më të madhe në hapësirën mediatike shqiptare në Kosovë, ‘Bota Sot’ që nga 26 qershori 1995 ka ndjekur dhe pasqyruar zhvillime të rëndësishme politike, shoqërore dhe kombëtare për më shumë se tridhjetë vite.
Ka pasur gazeta më të hershme, siç ishte gazeta ‘Bujku’, por ato u ndërprenë së botuari pas luftës. Gazeta ‘Bota Sot’ vazhdon me informim edhe sot e kësaj dite, edhe pse në mënyrë elektronike. Ajo informon për jetën politike aktuale, jetën kulturore, historike, si dhe informimin kombëtar e ndërkombëtar.
Është e pasur me opinione e analiza të ndryshme, që u japin mundësi të interesuarve të trajtojnë tema të ndryshme.
Sot, në 31-vjetorin e saj, roli i saj ka evoluar nga media informuese në një aktor me ndikim në debatet publike dhe në dokumentimin e ngjarjeve historike, duke u marrë edhe me zhvillimet brenda dhe jashtë vendit.
Kontributi i saj në ruajtjen e kujtesës kolektive të shqiptarëve gjatë periudhave të ndryshme historike është shumë i pranishëm, siç jepet përmes rubrikave të ndryshme, duke përfshirë edhe vende të veçanta që kanë zgjuar interes të madh të lexuesve dhe gazetarëve bashkëpunëtorë, të cilët e bëjnë më të pasur gazetën dhe shtojnë kureshtjen e lexuesve”, thotë ai.
Mehmeti kujton se viti 1995 ishte një periudhë terri informativ në Kosovë, pas mbylljes së mediave shqiptare nga regjimi serb.
Sipas tij, pas shuarjes së “Rilindjes”, gazetat në gjuhën shqipe u kthyen në zë të rezistencës kombëtare, ndërsa “Bota Sot”, e themeluar më 1995, u bë një nga mediat më të fuqishme shqiptare dhe e vazhdon veprimtarinë edhe sot në format elektronik.
“Viti 1995 na kujton terrin informativ në Republikën e Kosovës.
Ky terr kishte filluar pas Shpalljes së Deklaratës Kushtetuese nga deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, para dyerve të mbyllura të Kuvendit, pasi nuk lejoheshin të hynin brenda në sallë. Deputetët shqiptarë, të rrethuar nga policë serbë dhe tanke, shpallën Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik 1990, e cila e shpalli Kosovën Republikë të shtatë të Jugosllavisë, ose republikë më vete në rast shpërbërjeje të Jugosllavisë.
Kjo varej nga qëndrimet e republikave të tjera të Jugosllavisë.
Serbia, duke menduar se Kosovën do ta mbante të pushtuar, hyri në luftë me Slloveninë, e cila u nda pas vetëm 9 ditësh luftë. Sllovenia e kishte më të lehtë, sepse përveç ushtarakëve në armatën jugosllave, kishte organizuar Mbrojtjen Territoriale dhe ishte përgatitur më herët për luftë.
Ne ishim zhveshur tërësisht nga armatimi; policia ishte larguar nga puna, ndërsa mbrojtja territoriale ishte shuar në Kosovë.
“Rilindja” nuk dilte më nga gushti i vitit 1990, ndërsa edhe mediat televizive dhe radio kishin kaluar në duart e pushtuesit serb.
Me Kosovën, Serbia kishte ndërprerë edhe lidhjet telefonike në vitin 1992 me të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë.
Pas mbylljes së gazetës së vetme ditore shqipe “Rilindja”, në fillim të vitit 1991 kishte dalë gazeta e përditshme “Bujku”, gazetë e rezistencës dhe pjesë e lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi dhe demokraci.
Gazeta “Bota Sot” doli më vonë, por u tregua e fortë dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite, tani vetëm në formën elektronike”, shpjegon Mehmeti.
Në fund, ai vlerëson se “Bota Sot” ka pasur një rol të rëndësishëm si gjatë okupimit serb, ashtu edhe në periudhën e pasluftës, duke mbështetur Lidhjen Demokratike të Kosovës, presidentin historik Ibrahim Rugova dhe çështjen kombëtare.
Ai shton se gazeta ka qenë pranë lexuesve të saj, në veçanti pranë anëtarësisë së LDK-së, sidomos në kohën kur partia drejtohej nga Rugova.
“Gazeta ‘Bota Sot’ është ndër gazetat e para në gjuhën shqipe që ka nisur të botohet në diasporë gjatë kohës së okupimit serb në Kosovë. Kjo gazetë bëri një punë të madhe gjatë okupimit dhe deri në çlirimin e vendit.
Ajo ishte mbështetëse e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Dr. Ibrahim Rugovës gjatë gjithë kohës, duke pasqyruar realitetin e Kosovës në çdo periudhë. Gazeta ‘Bota Sot’ ka qenë gjithmonë krah i fortë i presidentit historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, bashkëpunëtorëve të tij, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga dalja e saj në skenë.
“Bota Sot”, me rubrikat e saj, e ka bërë gjithmonë më tërheqës leximin për lexuesit, veçanërisht për anëtarët e LDK-së gjatë kohës kur ajo ishte rugoviste, dhe disa vite edhe pas vdekjes së prijësit të saj, Dr. Ibrahim Rugovës”, përfundon ai për “Bota Sot”.
