Përfundon takimi Kurti-Haradinaj, kryeministria del me njoftim zyrtar

Zyra e kryeministërisë në Kosovë ka zbuluar detaje mbi takimin mes Albin Kurtit dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, me fokus dialogun Kosovë-Serbi që pritet të nisë në qershor.

Në deklaratën për shtyp thuhet se Haradinaj i ka kërkuar Kurtit që të përfshijë SHBA-në, në dialogun Kosovë-Serbi si dhe theksoi gadishmërinë e tij për t’u konsultuar me qeverinë për tema të interesit kombëtar.

Njoftimi i plotë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, priti në takim kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj dhe nënkryetarin e parë, Ardian Gjini.

Kryeministri Kurti e njoftoi z. Haradinaj për takimet që pati me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel dhe për përgatitjet për procesin e dialogut të ardhshëm me Serbinë. Z. Haradinaj kërkoi përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog krahas Bashkimit Evropian. Ai theksoi gatishmërinë e tij dhe të AAK-së për bashkëpunim me Qeverinë për tema të interesit nacional.

Takimit të sotëm me z. Hardinaj i ka paraprirë ftesa që kryeministri Kurti ua ka dërguar tre liderëve të partive opozitare, me qëllim të informimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar vazhdimisht se për çështjet me interes nacional do të konsultohet dhe do të kërkojë bashkëpunim të mirëfilltë me partitë dhe liderët opozitarë.

Shtuar 25.05.2021 03:05