Ngjarjet e ditës së sotme në veri të Kosovës po trondisin gjithë opinionin shqiptar.
Përmes një njoftimi për mediat, PDIU dënon me forcë sulmin terrorist në Kosovë ku mbeti i vrarë një pjestar dhe u plagos një tjetër anëtar i policisë së Kosovës.
“PDIU shpreh ngushëllimet e saj për jetën e humbur të policit të vrarë në krye të detyrës dhe lutemi që i plagosuri të përmirësohet sa më shpejt.
I bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të shtetit shqiptar, të jenë në kontakt dhe në mbështetje të shtetit të Kosovës.
Presidenti i Republikës duhet të kërkojë urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Sigurisë dhe reagimet të jenë të koordinuara e në mbështetje të shtetit të Kosovës.
Përshkallëzimi i dhunës është strategji e Serbisë në dëm të Kosovës dhe sigurisë në rajon.
Ky është rasti që jo vetëm të solidarizohemi por të kemi një reagim mbarëkombëtar”, thuhet në reagimin e PDIU.