Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri aktual në detyrë, Albin Kurti, njoftoi se u është drejtuar liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe atij të PDK-së, Bedri Hamza, për të organizuar një takim që synon gjetjen e një marrëveshjeje për nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës.
Të lidhura
None found
Ai theksoi se formimi i plotë i legjislativit ngec pa zgjedhjen e këtyre pozitave, çka kërkon domosdoshmërisht një mirëkuptim mes forcave politike.
Duke folur për çështjen, Kurti tregoi se tashmë ka nisur komunikimin me të dy krerët opozitarë. “Për ta përmbyllur me sukses këtë proces, duhet të votohen edhe nënkryetarët. Për këtë na duhet dakordim. Unë kam kontaktuar kryetarin e LDK-së dhe po ashtu i kam shkruar edhe atij të PDK-së që të takohemi, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje. Të tregohemi pozitivë e konstruktivë,” deklaroi ai.
Kurti komentoi edhe qëndrimin e deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, i cili, gjatë propozimit të Sllavko Simiqit për pozitën e nënkryetarit, deklaroi se e bënte këtë “në emër të popullit serb”. Kryeministri në detyrë e gjykoi këtë shprehje si cenim të rendit kushtetues të Kosovës dhe të betimit që vetë deputeti ka dhënë.
“Sikurse vuri në dukje edhe kryetarja e Kuvendit, ajo deklaratë e përfaqësuesit të Listës Serbe bie ndesh me kushtetutshmërinë e vendit dhe me betimin e tij. Për mua ishte e pakuptueshme pse ai nuk e lexoi propozimin tamam siç e kishte depozituar me shkrim për Sllavko Simiqin,” shtoi Kurti.

Më tej, ai kujtoi se në Kuvend mund të hidhet në votim vetëm propozimi i paraqitur në formë të shkruar dhe përmendi reagimet e deputetëve për fjalët e Simiqit. “Një deputet nga radhët e grupit parlamentar tha se kjo mund të jetë në euforinë e tij nga varrimi i Ratko Mlladiqit, komandantit që masakroi boshnjakët. Në Kuvend nuk votohet dot ai lloj propozimi që u shpreh gojarisht, por vetëm ai i shkruari,” u shpreh Kurti.
Nisma e Kurtit për t’u ulur në një tryezë me PDK-në dhe LDK-në po perceptohet si një sinjal për nisjen e një dialogu politik dhe për t’i dhënë fund ngecjes institucionale. Këtë e vlerëson analisti politik Zejnullah Jakupi, i cili sheh te gatishmëria e tij një tregues të rëndësishëm për domosdoshmërinë e një kompromisi institucional.
Sipas Jakupit, fakti që kryetari i LVV-së kërkon një takim me liderët e dy partive më të mëdha opozitare dëshmon se funksionimi i Kuvendit kalon përmes një marrëveshjeje ndërmjet palëve. Ai sqaron se një pakt i tillë nuk duhet pare medoemos si koalicion qeverisës apo ndarje pushteti, por si një kompromis bazik që do t’u hapte rrugë institucioneve të punojnë normalisht.
Duke komentuar ftesën, Jakupi deklaroi: “Ftesa e kryetarit të LVV-së dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, drejtuar liderëve të PDK-së dhe LDK-së, Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhikur, për të diskutuar votimin e nënkryetarëve të Kuvendit, duhet të shihet si një sinjal i rëndësishëm politik për nevojën e dialogut dhe të tejkalimit të bllokadës institucionale. Fakti që Kurti po kërkon takim me liderët e dy partive opozitare tregon se është e nevojshme një marrëveshje ndërmjet subjekteve politike për ta bërë Kuvendin funksional. Në këtë fazë, kjo nuk duhet të nënkuptojë domosdoshmërisht ndonjë marrëveshje koalicioni apo bashkëqeverisjeje, por një kompromis minimal institucional që do t’i hapte rrugë funksionimit normal të institucioneve.”
Megjithëse sheh hapësirë për marrëveshje, Jakupi pranon se ajo mbetet e kufizuar për shkak të mosbesimit të thellë politik midis LVV-së, PDK-së dhe LDK-së. Sipas tij, dështimi në votimin e kandidatëve për nënkryetarë dëshmoi se konfliktet politike janë ende të ashpra, por ato nuk duhet të bëhen pengesë për vënien në punë të institucioneve.
“Hapësira për kompromis ndërmjet LVV-së, PDK-së dhe LDK-së ekziston, por ajo është e kufizuar. Mosvotimi i kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit ka dëshmuar se ndërmjet palëve vazhdon të ketë mosbesim të thellë politik. Megjithatë, interesat partiake nuk duhet të vendosen mbi nevojën për funksionalizimin e institucioneve. Një zgjidhje e arsyeshme do të ishte që palët të ndajnë çështjen e funksionalizimit të Kuvendit nga përplasjet e tyre për pushtetin. Votimi i kryesisë dhe nënkryetarëve mund të trajtohet si çështje institucionale, ndërsa dallimet programore dhe politike të mbeten objekt i debatit të mëtejshëm parlamentar,” shtoi ai.
Analisti nënvizon se vullneti për të gjetur gjuhën e përbashkët duhet të provohet me veprime, jo vetëm me fjalë. Nëse Kurti synon sinqerisht daljen nga ngërçi, atëherë duhet të parashtrojë propozime specifike dhe të jetë i hapur për lëshime të matura. Nga ana tjetër, PDK-ja dhe LDK-ja nuk duhet të kufizohen thjesht në oponencë politike, por të shfaqin përgjegjshmëri institucionale.
Jakupi saktësoi: “Nëse kryetari Kurti tregon gatishmëri reale për kompromis, kjo gatishmëri duhet të shoqërohet me propozime konkrete dhe lëshime të arsyeshme. Në të njëjtën kohë, edhe PDK-ja dhe LDK-ja duhet të dëshmojnë se janë të gatshme të kontribuojnë në zhbllokimin e institucioneve dhe jo vetëm ta kundërshtojnë LVV-në politikisht. Në rast se një marrëveshje nuk arrihet, përgjegjësia politike nuk mund t’i atribuohet automatikisht vetëm njërës palë. Ajo duhet të vlerësohet mbi bazën e sjelljes konkrete të secilit subjekt: kush ofron zgjidhje, kush pranon kompromis dhe kush refuzon një marrëveshje të arsyeshme.”
Ai shton se nëse shefi i ekzekutivit sjell një formulë konkrete, ndërsa opozita e hedh poshtë pa dhënë asnjë alternativë, barra e bllokadës bie mbi të gjithë, por veçanërisht mbi ata që refuzojnë zgjidhjen. Por Jakupi tërheq vërejtjen se e njëjta logjikë vlen edhe për Lëvizjen Vetëvendosje, nëse thirrja për bisedime mbetet thjesht një manovër politike pa oferta të vërteta kompromisi.
Duke folur për pasojat e ngecjes, Jakupi shprehet se ato nuk janë thjesht problem i raporteve ndërpartiake, por godasin në themel funksionimin e shtetit dhe jetën e qytetarëve. Një Parlament i bllokuar, sipas tij, e bën të vështirë ligjvënien, kontrollin parlamentar dhe vendimmarrjen për çështje jetike.
Në fund, ai përfundoi me një apel për arsye publikе: “Vazhdimi i bllokadës nuk është vetëm problem i partive politike. Ai prek drejtpërdrejt funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Një Kuvend jofunksional e vështirëson miratimin e ligjeve, mbikëqyrjen parlamentare, marrjen e vendimeve të rëndësishme dhe krijimin e një qeverisjeje plotësisht funksionale. Për këtë arsye, në këtë moment Kosovës i duhet më shumë përgjegjësi politike sesa retorikë partiake. Palët duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për dialog dhe të gjejnë një kompromis që i jep fund bllokadës. Askush nuk fiton politikisht nëse institucionet mbeten të paralizuara, ndërsa kostoja përfundimtare i mbetet qytetarit dhe shtetit. Funksionalizimi i institucioneve duhet të jetë prioriteti i parë. Dallimet politike mund të vazhdojnë të debatohen, por institucionet e Kosovës nuk mund të mbahen peng nga mungesa e kompromisit politik.”
