Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, deklaroi se çdo dërgesë mishi me origjinë nga Brazili po i nënshtrohet kontrollit 100 për qind. Ky vendim është marrë pas dyshimeve se etiketat me afatet e përdorimit të mishit të destinuar për Kosovë mund të jenë ndryshuar.
Autoritetet malazeze kanë ndaluar në dy raste rreth 103 tonë mish viçi të ngrirë, të dërguar drejt kompanisë kosovare “Apetit SHPK”. Sipas njoftimeve nga Mali i Zi, produktet kishin kaluar afatin e përdorimit, ndërsa në rastin e parë dyshohej edhe për zëvendësim të etiketave origjinale.
Të lidhura
None found
Duke iu referuar bllokimit të mishit në Portin e Tivarit, Muja tha se institucionet kosovare kanë shtuar kontrollet dhe po analizojnë të gjitha ngarkesat e importuara nga Brazili.
“Kemi vendosur 100% kontroll të dërgesave të mishit nga Brazili në saje të lajmërimit të Bashkimit Evropian që Brazili do të hiqet nga lista e establishmentëve të aprovuara. Më 29 shtator, ne kemi pranuar informacionet e para të cilat konfirmojnë dyshimet që i kanë autoritetet se në këto disa dërgesa ka pasur ose ka dyshime për ndërrim të etiketave. Deri më tani, këtë informacion e kemi nga autoritetet e Malit të Zi. Megjithatë, unë dëshiroj t’ju informoj që paralelisht dhe pa marrë parasysh veprimet e Malit të Zi e raportin zyrtar për të cilin po e presim zyrtarisht, që nga shtatori kemi urdhëruar 100% kontroll të çdo dërgese. Që nga shtatori ka kontrolle më të intensifikuara, ndoshta më të mëdha, ndonjëherë brenda tregut. Gjithashtu, është nisur kontroll-verifikimi prej janarit deri më 5 shtator i çdo dërgese. 1,446 dërgesa të mishit nga Brazili janë duke u verifikuar një nga një. Inspektohet çdo operator ekonomik; operatori Apetit është një nga operatorët e mëdhenj, por 60% e importeve nga operatorë të tjerë dhe ato po verifikohen një nga një”, tha Muja.
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, kërkoi sqarime për rrezikun që mund t’u kanoset qytetarëve nga konsumimi i mishit me afat të skaduar. Ajo ngriti gjithashtu pikëpyetje për masat e kontrollit dhe përgjegjësinë e institucioneve.
“Nuk duhet që të helmohet popullata. A do ta fusnin në listën e zezë kompaninë Apetit? Po bleni mish me afat të skaduar që të helmoni popullatën”, theksoi Kadrijaj.




