Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se është takuar me Kancelarin Federal të Austrisë, Christian Stocker, në Shën Stefan, ku kanë biseduar për prioritetet e Qeverisë në mandatin e ri dhe thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Në një postim në Facebook, Kurti ka treguar se në takim është diskutuar për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik në fushat e energjisë, hekurudhave dhe teknologjisë digjitale, ku investimet nga kompanitë austriake dhe diaspora kosovare po rriten vazhdimisht.
Të lidhura
None found
“Në Vjenë u takuam vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 Qershorit, ndërsa këtë mëngjes në Shën Stefan në detin Adriatik biseda me Kancelarin Federal të Austrisë, Christian Stocker, u përqendrua në prioritetet e Qeverisë në mandatin e ri dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe”, shkroi Kurti.
Ai shtoi se në takim u diskutua për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik në energji, hekurudha dhe teknologji digjitale, një sektor ku kompanitë austriake dhe mërgata kosovare po investojnë gjithnjë e më shumë.
Kurti kujtoi se para katër muajsh ishin diskutuar dy hapa konkretë: integrimi në SEPA dhe zona roaming e BE-së. Për të parin, Kosova tashmë ka përmbushur edhe kushtin e fundit me tërësinë e ligjeve të nevojshme, ndërsa për të dytin pret që negociatat të nisin së shpejti.
Ai shprehu mbështetjen për deklaratën e Kancelarit Stocker se Bashkimi Evropian nuk është i plotë, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa Ballkanin Perëndimor dhe se të gjithë kandidatët duhet të trajtohen njëlloj, me të njëjtat kushte. Sipas Kurtit, në bazë të meritës, Republika e Kosovës është gati për avancim në rrugën evropiane, për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave.
Në fund, Kurti shtoi me humor se pas rezultateve 3:1 në Vjenë dhe 1:1 në Prishtinë, të dy vendet po afrohen edhe në futboll.




