Masat e BE-së ndaj Kosovës dëmtuan ekonominë, kërkohet shfuqizimi i sanksioneve

Masat e Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës, të vendosura në qershor të vitit të kaluar kanë pasur ndikim negativ në ekonominë e vendit tonë. Kështu vlerëson kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ku sipas tij rreth 300 milionë euro janë bllokuar nga BE-ja.

Rafuna i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës, që të punojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtar që të shfuqizohen sa më shpejt këto masa dhe të mos lejohet vendosja e sanksioneve të shtesë, të paralajmëruara nga Bashkimi Evropian.

Përveç kësaj, Rafuna kritikon ekzekutivin e vendit se nuk e kanë në prioritet ekonominë, pasi siç thekson ai “ekonomia e Kosovës është në rend të dytë”.

Kryetari i OEK-ut në një intervistë për KosovaPress ka folur edhe për Udhëzimin administrativ të nxjerrë ditë më parë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për kuotat në import.

Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që për çdo veprim e vendim të rëndësishëm politik për vendin, të jenë siç thotë ai në koordinim me aleatët ndërkombëtar.

Dialogu dhe çështja e veriut të vendit, sipas Rafunës, kanë vendos nën hije ekonominë e Kosovës. Ai kërkon që ky sektor vital për vendin të jetë në rend të parë.

Ndërkaq, Udhëzimi administrativ i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrsisë dhe Tregtisë (MINT), për kuotat në import, nuk është mirëpritur nga Oda Ekonomike e Kosovës. Sipas kryetarit Rafuna në këtë Udhëzim nuk ka sqarime të mjaftueshme për bizneset.

Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë thonë se ky udhëzim administrativ është në përputhje me praktikat ndërkombëtare, marrëveshjet e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian. Më tej thuhet se “Bazuar në parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë; Kuotat në Import mund të vendosen kryesisht për mbrojtjen sezonale të produkteve të caktuara”./Kosovapress


Shtuar 18.08.2024 13:43