Lista Serbe rrezikon të mbetet jashtë zgjedhjeve, KQZ-ja në Kosovë nuk e certifikon për garën e 28 Dhjetorit

Lista Serbe nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, për të garuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor. Anëtarët e KQZ-së vendosën me 2 vota PRO, ndërsa 2 vota Kundër erdhën nga LVV dhe pjesa tjetër abstenuan.

Anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi gjatë mbledhjes tha se vota kundër për Listën Serbe shkon për faktin që nënkryetari i saj ka qenë organizator i drejtpërdrejtë i sulmit të Banjskës.

“Radojçiqi ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, i cili ka bërë një sulm të armatosur në Republikën e Kosovës me një grup terroristësh me ndihmën e qeverisë serbe. Përveç që e ka bërë ai e ka pranuar personalisht, ai ka dhënë deklaratë botërisht se ka qenë udhëheqës, organizator i sulmit të armatosur.

Aty janë vrarë 4 njerëz…Pra, Lista Serbe si subjekti më i madh i serbëve ka shpallur tre ditë zie për terroristët e vrarë në sulmin në Banjskë. Jo që s’ka hequr dorë ose s’ka kërkuar falje, por ka shpallur ditë zie duke i shpallur ata heronj”, ka thënë Kurteshi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk e certifikoi Listën Serbe, por Komisioni Rregullator (PZAP) e urdhëroi KQZ që të ndryshonte vendimin dhe të certifikonte partinë më të madhe të serbëve në Kosovë.


Shtuar 2.12.2025 19:26