Kryeministri Albin Kurti ka folur në Kuvendin e Kosovës për 100-ditëshin e qeverisjes së tij.
Ai ka thënë se brenda tre muajve të parë të qeverisjes, janë marrë 144 vendime, ndërsa ka përmendur edhe reformat që ka ndërmarrë kjo qeveri.
“Me reformat e nisura në drejtësi dhe financa e ekonomi, kemi rritur besimin e qytetarëve tek ne. Kur jemi betuar në Kuvend, kemi thënë se luftimin e pandemisë do ta kemi prioritet. Çfarëdo matje që i bëhet qeverisë sonë, duhet të shihni gjendjen me rastet e infektimit në ditën kur kemi marrë qeverinë dhe 100 ditë më vonë, ka pasur 9 raste të reja. Prej 17 vdekjeve në ditë, kemi rënë në 0 vdekje të të infektuarve me COVID-19”, ka thënë Kurti, transmeton lajmi.net.
Ai ka thënë se shteti i Kosovës shpesh herë pas luftës është përmendur për të keq në raportet e jashtme, ndërsa ka thënë se kjo na filluar të ndryshojë që nga Qeveria Kurti.
Tutje, kryeministri Kurti ka folur edhe për luftimin e pandemisë, për të cilën ka thënë se ka qenë prioritet i qeverisë së tij, ndërsa ka bërë thirrje për respektimin e rregullave në mënyrë që të luftohet edhe varianti Delta përmes vaksnimit masiv me vaksinën kundër COVID-19.
“Kosova është vendi i vetëm në rajon që po përdor vetëm vaksinat që janë të aprovuara kundër Covid-19, pra Pfizer dhe AstraZeneca. Kosova po e menaxhon shumë mirë situatën dhe rastet me COVID-19, por tash ka filluar të shpërndahet edhe varianti Delta, andaj zgjedhja është vaksnimi masiv, të cilin e kemi filluar si proces”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës është duke planifikuar edhe pakon e dytë për bizneset dhe qytetarët prej 1.1 miliardë eurove.
Në anën tjetër, Kurti ka bërë të ditur se janë anuluar disa kontrata dhe marrëveshje bashkëpunimi që janë cilësuar si të dëmshme, me vlerë prej 100 milionë eurove.
Kurti ka përmendur edhe aksionet dhe bastisjes e Policisë së Kosovës si arritje të qeverisë së tij.
Ai ka deklaruar se kanë shkatërruar tetë grupe kriminale ndërsa kanë konfiskuar 400 kilogram kokainë.