Kurti pas takimit me Dendias: Kosova e Greqia po afrohen çdo ditë e më shumë

Kosova dhe Greqia po afrohet çdo ditë e më shumë. Kështu thotë kryeministri Albin Kurti, kur kryediplomati grek, Nikos Dendias po qëndron në Kosovë.

Kurti publikoi në Twitter disa fotografi nga një darkë mbrëmë me Dendias, duke shkruar për marrëdhëniet e mira dypalëshe mes dy vendeve.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Greqinë po afrohen çdo ditë e më shumë. Është një dëshmi e marrëdhënieve tona të mira dypalëshe, por edhe një njohje e vlerave tona të përbashkëta të lirisë e demokracisë. Kënaqësi ta pres për një darkë mbrëmë ministrin e Jashtëm të Greqisë Nikos Dendias”, shkroi Kurti.

Dendias shkoi dje në Kosovë dhe u takua edhe me presidenten Vjosa Osmani. Aty Osmani tha se Kosova dhe Greqia ndajnë të njëjtat vlera euroatlantike, duke kërkuar mbështetjen e Greqisë për anëtarësimin e Kosovën në Këshillin e Europës, Partneritetin për Paqe dhe NATO.

Ajo ka shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë, me shpresën që së shpejti do të formalizohet vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Greqia.

Dendias është pritur edhe nga zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi.

Bislimi e ka informuar ministrin Dendias edhe mbi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë./express


Shtuar 9.06.2022 09:17