Kurti: Nuk ka garanci për themelimin e Asociacionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk ka pasur garanci për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në mënyrë që të hiqen barrikadat në veri.

“Nuk ka garanci të tilla nga Qeveria e Kosovës. Asociacioni i komunave u bë asociacion i barrikadave. Ata i donë komunat që t’i bëjnë si barrikada. Ashtu siç i bënë 16 barrikada bashkë, duan që t’i bëjnë 10 komuna bashkë”, tha ai për agjencinë e lajmeve kosovapress.

Pas 19 ditësh bllokimi të rrugëve, grupet e serbëve nga veriu i Kosovës i hoqën barrikadat dje, të cilat ishin ngritur pas arrestimit të njërit prej ish-policëve serb të Kosovës, Dejan Pantiq.

Kjo erdhi pas lirimit të Pantiqit, i dyshuar për pjesëmarrje në sulmin ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, të cilit masa e paraburgimit iu ndryshua në arrest shtëpiak.

Themelimi i Asociacionit ishte kushti tjetër i serbëve lokalë për heqjen e barrikadave.

Një ditë para heqjes së barrikadave, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se kanë marrë garancitë “më të forta ndonjëherë” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për tërheqjen e serbëve nga barrikadat e ngritura në veri të Kosovës.

Kur u pyet për kthimin e serbëve të dorëhequr në institucionet e Kosovës, ai tha se “mund të bëhet aplikim i ri, jo kthim”.

Në nëntor, qindra serbë në veri të Kosovës u larguan nga Policia e Kosovës, institucionet e drejtësisë dhe institucionet lokale e qendrore.

Dorëheqjet u dhanë në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës që kishte të bënte me rirregjistrimin e makinave me targa serbe, në ato RKS – Republika e Kosovës.

Ai tha gjithashtu se në janar do të ketë nisma të reja për takimet në kuadër të dialogut në Bruksel.

“Po është e pritshme që në janar do të ketë nisma të reja për të përgatitur takimet e reja në Bruksel”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se pret që në gjysmën e parë të muajit janar në Beograd të vijnë përfaqësues ndërkombëtarë, të cilët do të insistojnë në nevojën që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

“Unë pres që burra të mëdhenj dhe gra të mëdha nga bota të vijnë tek unë dhe të më thonë se duhet të arrijmë një marrëveshje. Ne po përballemi me një kohë të vështirë për Kosovën dhe Metohinë, por do të luftojmë”, tha ai./REL


Shtuar 30.12.2022 20:46