Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Institutin për Mjekësi Ligjore, ku janë dërguar mbetje mortore që dyshohet se u përkasin të paktën 23 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Të lidhura
None found
Gjatë vizitës, Kurti bëri të ditur se mbetjet janë zbuluar në tri pika të ndryshme në fshatrat Kalludër dhe Jabukë, në komunën e Zubin Potokut.
Ai tha se, një muaj pas nisjes së gërmimeve, puna ka hyrë në fazën e ekzaminimit dhe të procedurave profesionale që synojnë identifikimin dhe dokumentimin e mbetjeve mortore.
Sipas njoftimit të tij, deri tani katër mostra ADN-je, të marra nga mbetjet e zbuluara në Jabukë, janë përcjellë në Hagë për analiza.
“Që nga përfundimi i luftës janë kryer rreth 2700 gërmime, e vetëm këtë vit nga 17 sosh janë gjetur gjithsej 30 mbetje mortore”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri në detyrë theksoi se përcaktimi i fatit të personave të zhdukur me dhunë jo vetëm u jep familjeve përgjigje pas një pritjeje të gjatë, por hap edhe rrugën për vendosjen e drejtësisë.
Kurti ishte në IML së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ku mori informacion edhe për investimet e kryera për përditësimin e këtij institucioni.
Ai deklaroi se në infrastrukturën e Institutit për Mjekësi Ligjore janë investuar mbi 814 mijë euro. Fondet janë përdorur për përmirësimin e sigurisë dhe funksionalitetit të objektit, si dhe për krijimin e kushteve më të përshtatshme për shërbimet mjekoligjore.
Kurti njoftoi gjithashtu se janë rikonstruktuar dhe pajisur me standarde moderne salla e autopsisë, si dhe laboratorët e toksikologjisë, histopatologjisë dhe antropologjisë. Në kuadër të punimeve është ngritur edhe një arkiv modern dhe hapësirë e përshtatshme për ruajtjen e dëshmive, ndërsa janë përmirësuar edhe ambientet ku kryhen ekzaminimet klinike mjekoligjore.
