Gjykata Speciale pritet të shpallë më 16 shtator vendimin për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa në Kosovë dhe në Hagë kanë nisur përgatitjet për organizimet në mbështetje të tyre.
Të lidhura
None found
Organizatori i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, bëri të ditur se do të zhvillohen dy aktivitete. I pari, i titulluar “Marshi i Lirisë”, do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, ndërsa i dyti do të zhvillohet më 16 shtator në Hagë, me të njëjtën moto dhe në kohën kur pritet të shpallet verdikti përfundimtar.
Sipas Tashollit, organizimi në Prishtinë pritet të jetë më i madhi në historinë e Kosovës, për shkak të përvojës së dy marshimeve të mëparshme, interesimit të lartë qytetar dhe afërsisë me vendimin e Gjykatës Speciale. Ai tha se bashkëpunimi për këtë aktivitet është më i gjerë se në organizimet e kaluara, raporton KosovaPress.
Tasholli parashikoi se në marshin e 12 shtatorit do të marrin pjesë të paktën 200 mijë qytetarë. Ai tha se numri mund të jetë edhe më i madh, por shprehu bindjen se pjesëmarrësit nuk do të jenë më pak se 200 mijë.
Organizatori i platformës “Liria ka emër” foli edhe për një aktivitet të mundshëm në rast se vendimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit do të jetë lirues. Sipas tij, është planifikuar një marshim me motorë nga Aeroporti i Prishtinës drejt qendrës së kryeqytetit, si formë mirëseardhjeje për ish-krerët e UÇK-së.
Ai kujtoi se një organizim i ngjashëm ishte zhvilluar më herët në Hagë dhe tha se, nëse protokollet dhe rrethanat do ta lejojnë, qytetarët e Kosovës do të dalin në rrugë për t’i pritur ata në vendin e tyre.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga fillimi i nëntorit të vitit 2020. Vendimi për ta pritet të shpallet nga Gjykata Speciale më 16 shtator.
