Kurti: Kosova nuk e pranon Asociacionin si kusht për anëtarësim në KiE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngulur këmbë të mërkurën se Qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë në Prishtinë, Kurti tha se Kosova është duke u përballur javët e fundit me “një kusht të ri, i cili nuk ka të bëjë aspak me anëtarësimin” në Këshillin e Evropës.

“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne bisedojmë në Bruksel, e jo në Strasburg”, tha Kurti.

Franca dhe Gjermania i kërkuan Kosovës të bëjë hapa drejt themelimit të Asociacionit pak kohë pasi në fund të prillit Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dha dritën jeshile për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

KiE – lidere në Evropë për të drejtat e njeriut – mund të votojë për pranimin e Kosovës më 16 maj.

Kurti nguli këmbë se Kosova e meriton anëtarësimin, pasi i ka “plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme tashmë”.

“Ne dëgjuam se ka kryeqytete që tash po e kushtëzojnë finalizimin e procesit të anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në gjykatën Kushtetuese të Kosovës… Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese dokumente, të cilat nuk i ka pranuar dhe të cilat nuk janë zyrtare. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, shtoi Kurti.

Kosova dhe Serbia u pajtuan për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe qysh në vitin 2013.

Megjithatë, qeveri të njëpasnjëshme të Kosovës refuzuan ta zbatojnë marrëveshjen, duke shprehur frikë se asociacioni i tillë njëentik mund të ndikojë në funksionalitetin e duhur të shtetit.

Pas trysnisë së vazhdueshme, diplomatët perëndimorë hartuan një draft-statut të këtij asociacioni, të cilin ia dorëzuan Kosovës dhe Serbisë në fund të vitit të kaluar.

Kurti tha të mërkurën se u kishte thënë diplomatëve perëndimorë dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, “qysh tetorin e kaluar se Qeveria e Kosovës nuk e pranon këtë draft-statut”.

“Kosova ka ofruar që ai dokument të bëhet pjesë e pakos së Marrëveshjes Bazë të Brukselit, dhe të Aneksit të Ohrit, dhe të nënshkruhet që të bëhet ligjërisht i obligueshëm dhe i zbatueshëm. Ai u refuzua nga Serbia”, tha Kurti, duke iu referuar marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë që u arrit në fillim të vitit të kaluar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Kosova aplikoi për t’u anëtarësuar në KiE gati dy vjet më parë – më 12 maj, 2022.

Më 27 mars të këtij viti, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Bakoyyanis, e cila tha se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota i organizatës, ndërsa Asociacionin e konsideroi si çështje të brendshme të Kosovës.

Më pas, më 16 prill, raporti i Bakoyyanisit kaloi edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë Komiteti i Ministrave, saktësisht një muaj më vonë.

I përbërë prej 46 shtetesh anëtare, 27 prej të cilave anëtare të Bashkimit Evropian, Këshilli i Evropës është organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut.

Serbia njoftoi së voni se ka ngritur një grup punues për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Kjo, pavarësisht marrëveshjes që ajo ka me Kosovën, për të mos e kundërshtuar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare./REL


Shtuar 8.05.2024 12:29