Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç janë ftuar për drekë pune nesër në Bruksel nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursual von der Leyen, lidhur me Planin e Rritjes.
Në këtë drekë pune, siç ka konfirmuar zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, janë të ftuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, dhe kryeministri i Malit të Zi.
Siç ka njoftuar ajo, Komisioni Evropian aktualisht është duke finalizuar rishikimin e agjendave të reformave të paraqitura nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë Qeveria e Kosovës ende s’e ka konfirmuar pjesëmarrjen e Kurtit në drekën e Von der Leyen, por European Policy Center ka njoftuar se Kurti do të jetë folës të enjten në Bruksel si i ftuar i tyre.
Ndërsa Presidenca e Serbisë ka njoftuar se Vuçiç do të jetë i pranishëm në drekën e organizuar nga Kryetarja e KE-së me të cilën do të ketë edhe një takim të ndarë.