Bashkimi Evropian ka kundërshtuar vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë.
Të lidhura
None found
Në një deklaratë për këtë çështje, një zëdhënës i bllokut evropian vlerësoi se veprimet e Haxhiut dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) nuk “duket të jenë në përputhje me ligjin”. Ai kujtoi se prokurorët kishin njoftuar më parë se po i tërhiqnin dorëheqjet.
Sipas zëdhënësit, kjo nuk duket se përputhet me ligjin, procedurën e rregullt ligjore dhe kriteret e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë. Ai tha se BE-ja u kërkon të gjitha institucioneve përkatëse të mos ndërmarrin veprime që synojnë pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës.
Gjatë 21 korrikut, Haxhiu kishte bërë të ditur se i kishte nënshkruar dekretet për lirimin e shtatë prokurorëve të komunitetit serb, të cilët ishin dorëhequr nga sistemi i drejtësisë më 2022.
Në një postim në Facebook, ajo deklaroi se përmes këtij veprimi mbyllet një proces që kishte vazhduar prej vitesh dhe vihet në zbatim vendimi i institucionit kompetent, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Kritika e Bashkimit Evropian ndaj institucioneve kosovare për largimin e shtatë prokurorëve serbë ka nxitur diskutime të gjera rreth trajtimit të drejtësisë, integrimit në institucione dhe ndikimit politik mbi sistemin gjyqësor.
Prokurorët ishin larguar nga institucionet e Kosovës në vitin 2022, si pjesë e dorëheqjeve kolektive të zyrtarëve serbë, të nxitura dhe të bashkërenduara politikisht nga Beogradi.
Qëndrimi i BE-së ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si duhet ruajtur ekuilibri ndërmjet respektimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së funksionimit të institucioneve të Kosovës.
Juristi Blerim Burjani, duke komentuar reagimin evropian për “Bota sot”, kritikoi qasjen e BE-së dhe rikujtoi se prokurorët serbë ishin dorëhequr pikërisht për arsye politike.
Ai kërkoi që Bashkimi Evropian ta vlerësojë rastin në mënyrë më profesionale dhe korrekte, si dhe të mbështesë Kosovën në këtë çështje.
Sipas Burjanit, BE-ja do të duhej të tregohej të paktën më e sinqertë kur bëhet fjalë për etikën profesionale të prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë. Ai theksoi se ata e braktisën punën pa ndonjë shpjegim apo motiv profesional, por vetëm për shkaqe politike, ndërsa roli i gjyqtarit ose prokurorit nuk mund të ushtrohet njëkohësisht me angazhimin politik.

Burjani tha se BE-ja duhet të jetë e drejtë në vlerësimin e saj dhe ta shqyrtojë çështjen nga këndvështrimi profesional, jo nga ai politik, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndarjen e drejtësisë. Sipas tij, do të ishte më e arsyeshme që Kosova të mbështetej ose, së paku, që reagimi evropian të kishte ton profesional dhe jo politik.
Juristi kërkoi gjithashtu respektimin e Kosovës, të rendit të saj ligjor dhe të sistemit kushtetues.
Ai vlerësoi se sa më shumë që BE-ja i përkëdhel serbët, aq më të mëdha bëhen pasojat për rendin dhe ligjin në Kosovë.
Sipas Burjanit, Kosova mund t’i rikthejë këta persona në sistem vetëm nëse ata e njohin shtetin dhe pranojnë rendin e ligjin e tij. Në të kundërtën, siç tha ai, duhet të vazhdojnë të mbeten jashtë institucioneve sipas vullnetit të tyre, pasi nuk ekziston asnjë garanci se pas një periudhe nuk do ta braktisin përsëri punën për t’iu kthyer politikës, duke mos i respektuar ligjet e Kosovës.
Ai e cilësoi këtë sjellje si joserioze dhe përsëriti se përkëdhelja e mëtejshme vetëm sa e dëmton më shumë rendin dhe ligjin në vend.
Burjani theksoi se duhet respektuar Kosova bashkë me rendin e saj ligjor e kushtetues dhe se situata nuk mund të shndërrohet në “taravi”. Sipas tij, rregullat ligjore vlejnë për të gjithë dhe askush nuk mund ta lërë vendin e punës kur dëshiron e të rikthehet sipas dëshirës.
Ai shtoi se një praktikë e tillë nuk ndodh as në vendet anëtare të BE-së dhe as në shtete të tjera.
Në përfundim të deklaratës për “Bota sot”, Blerim Burjani tha se shteti nuk është një fëmijë me të cilin mund të luhet, por funksionon mbi bazën e rendit, ligjit, procedurave dhe rregullave të përcaktuara qartë, të cilat duhet t’i zbatojë secili.
Edhe analisti politik Gani Qarri shprehu habi që BE-ja pothuajse i kishte kaluar në heshtje deklaratat skandaloze të ministres serbe Snezhana Paunoviq, ndërkohë që kishte reaguar me kritika të forta ndaj Kosovës për dekretimin e një vendimi ligjor.
Në prononcimin për “Bota sot”, Qarri mbështeti të gjitha masat dhe vendimet e Qeverisë së Kosovës që synojnë shtrirjen e ligjit dhe të sovranitetit në pjesën veriore të vendit.
Ai e quajti më shumë se të habitshëm faktin që Bashkimi Evropian pothuajse heshti pasi ministrja ekstremiste e Qeverisë së Serbisë dhe e preferuara e Aleksandër Vuçiqit, Snezhana Paunoviq, deklaroi se, po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar Kosovën etnikisht” nga shqiptarët. Sipas Qarrit, në vend që ta mbështeste Kosovën në funksionalizimin e drejtësisë, BE-ja kaloi në akuza të pabazuara kundër vendimeve ligjore dhe kushtetuese të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës. Në këtë kuadër, ai përmendi dekretin e ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, si një veprim për zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e integritetit të institucioneve më të rëndësishme shtetërore.
Qarri kujtoi se Qeveria e Kosovës kishte marrë vendimin e drejtë kushtetues për zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve, të lëshuara nga Serbia, me targat legjitime RKS të Republikës së Kosovës. Ky vendim, sipas tij, synonte rikthimin e rendit dhe ligjit edhe në veri dhe ishte parashikuar në marrëveshjet e arritura në Bruksel. Megjithatë, nën diktatin e presidentit serb, ish-ministrit të Informatave në Qeverinë e kasapit Millosheviq dhe kriminelit Aleksandër Vuçiq, dora e zgjatur e Serbisë në Kosovë, e ashtuquajtura “Listë Serbe”, më 5 nëntor 2022 urdhëroi largimin nga institucionet e Republikës së Kosovës të serbëve të punësuar në to. Qarri e cilësoi këtë si akt të kundërligjshëm dhe ndërhyrje flagrante të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës, duke shtuar se as BE-ja nuk e kishte parandaluar atë në atë kohë.
Analisti ritheksoi se prokurorët dhe gjyqtarët serbë u larguan me dëshirën e tyre, vetëm për arsye politike dhe në koordinim me Qeverinë në Beograd.
Për këtë arsye, ai konsideroi se kritikat e Bashkimit Evropian janë të paqëndrueshme dhe se institucionet kosovare vepruan drejt dhe në përputhje me ligjin kur nuk e pranuan kërkesën e prokurorëve serbë për t’u rikthyer në punë.
Qarri tha se prokurorët nga komuniteti serb e zbatuan urdhrin e Beogradit në nëntor të vitit 2022 dhe u dorëhoqën pa u përballur me asnjë presion nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës. Për këtë arsye, sipas tij, më 21 korrik të këtij viti, presidentja në detyrë Albulena Haxhiu i nënshkroi me të drejtë dekretet për lirimin e shtatë prokurorëve, një veprim që ai e konsideroi normal dhe tërësisht të rregullt nga pikëpamja ligjore.
Ai përmendi se Këshilli Prokurorial i Kosovës e kishte refuzuar paraprakisht kërkesën e prokurorëve serbë “pishmangjinj” për t’i tërhequr dorëheqjet që, sipas tij, ishin paraqitur më shumë se 4 vite më parë me urdhër të Aleksandër Vuçiqit nga Beogradi dhe me vullnetin e tyre, pa asnjë trysni nga institucionet e Kosovës. Qarri kujtoi se zyrtarët serbë nga veriu ishin larguar kolektivisht nga institucionet e Republikës së Kosovës nën diktatin e Serbisë. Për hyrjen në fuqi të vendimit ligjor të KPK-së, për t’i dhënë fund pengimit të funksionimit normal institucional dhe për të shmangur paqartësitë juridike që buronin nga proceset e pambyllura, nevojitej dekreti i ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.

Sipas Qarrit, nuk ka bazë për kritika nga BE-ja, pasi prokurorët serbë u dorëhoqën vullnetarisht nga sistemi kosovar i drejtësisë në nëntor 2022, vetëm sepse Qeveria e Kosovës mori vendimin e domosdoshëm ligjor për zëvendësimin e targave ilegale serbe me targat legjitime të Republikës së Kosovës. Ai theksoi se ky detyrim ishte parashikuar edhe nga marrëveshjet e arritura në Bruksel ndërmjet dy vendeve, ndërsa dorëheqjet erdhën me urdhër të Vuçiqit nga Beogradi dhe pa asnjë presion nga institucionet shtetërore kosovare.
Duke vazhduar kritikat ndaj qasjes së BE-së, Qarri përgëzoi Haxhiun për dekretimin e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Në vlerësimin e tij, firmosja e dekreteve nga Haxhiu tregon se Kosova do të vijojë të veprojë në mënyrë të vendosur dhe në pajtim me Kushtetutën e ligjet e saj.
Qarri tha se shtatë prokurorët nga pakica serbe ishin vetëdorëhequr nën diktatin e Beogradit dhe ishin larguar me vullnetin e tyre nga institucionet e Republikës së Kosovës. Sipas tij, BE-ja po përdor standarde të dyfishta, pasi nuk ka ndërmarrë hapa për të parandaluar veprimet kriminale dhe të kundërligjshme të kriminelëve serbë në veri, por megjithatë kundërshton vendimin e presidentes në detyrë, Albulena Haxhiu. Ai rikujtoi se Haxhiu kishte deklaruar se vetëm po zbatonte vendimin e institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, për t’i dhënë fund një procesi që ishte zvarritur prej vitesh.
Analisti tha se Bashkimi Evropian po e kritikon publikisht dhe pa arsye vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë, të cilët ishin pjesë e dorëheqjeve kolektive që në nëntor të vitit 2022.
Sipas tij, nënshkrimi i dekreteve dëshmon se Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, për të mbrojtur integritetin e institucioneve më të rëndësishme shtetërore. Qarri përmendi gjithashtu se vetëm një vit më parë Kosova kishte zënë vendin e parë në Evropë dhe të tretin në Botë për rend dhe ligj, çka, sipas tij, tregon se sa realiste dhe të drejta juridikisht janë vendime të tilla si dekretet e Haxhiut.
Në përmbyllje, Qarri deklaroi se BE-ja duhej ta përkrahte, e jo ta kritikonte, aktin që mbylli një proces të zgjatur prej vitesh.
Ai tha se Kosova nuk kishte mundësi të vepronte ndryshe, ndërsa kujtoi se edhe ish-drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, kishte refuzuar ta zbatonte vendimin e institucionit kompetent. Qarri përsëriti se dorëheqjet e prokurorëve serbë kishin qenë politikisht të motivuara dhe të koordinuara me Serbinë.
Në fund të prononcimit për “Bota sot”, Gani Qarri tha se edhe vetë BE-ja duhej ta përshëndeste mbylljen e këtij procesi shumëvjeçar përmes dekretit presidencial, të nxjerrë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, si një vendim që respekton procedurat ligjore dhe parimet e shtetit të së drejtës. Ai shtoi se Ura kryesore e Ibrit në Mitrovicë vazhdon të mbahet padrejtësisht e mbyllur prej dekadash, pa arsye dhe pa shpjegim, megjithëse marrëveshja për të ishte arritur në Bruksel shumë vite më parë pikërisht me ndërmjetësimin e BE-së.
