Konjufca: Serbia e gatshme t’i shtyjë para planet e Rusisë

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se me një Serbi të gatshme për të shtyrë planet e Putinit në rajon, mbështetja e Kosovës për fitoren e Ukrainës bëhet më kuptimplotë.

Ai ka thënë se këto dy vite që nga sulmi i Rusisë mbi Ukrainën, shënojnë fazën kur në mënyrë të qartë botës iu ofruan dy propozime.

“…njëri që thërret për radhitje nën emrin e lirisë, dinjitetit dhe demokracisë, e tjetri që dëshiron nënshtrim, pushtim, shfrytëzim dhe krime kundër njerëzimit. Republika e Kosovës është krenare që angazhohet fuqishëm, pa mëdyshje dhe ambiguitet, në anën e drejtë të historisë, duke iu bashkuar asistencës dhe solidaritetit të botës demokratike ndaj Ukrainës, që ashtu si ne aspiron integrim në NATO dhe Bashkim Evropian”, ka shkruar Konjufca në Facebook, në dyvjetorin e agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Tutje Konjufca ka thënë se në këto dy vite, Rusia e Vladimir Putinit ka bërë çmos për ta pushtuar përfundimisht Ukrainën, por duke mos ia dalë, ka angazhuar edhe satelitët e saj në Evropë për të mbjellë destabilitet, pasiguri, shpërqëndrim, luftë dhe përçarje.

“Me një Serbi të gatshme për t’i shtyrë planet e Putinit në rajonin tonë dhe Evropë, mbështetja dhe angazhimi ynë për fitoren e Ukrainës bëhet edhe më kuptimplotë. Liria e popujve, sovraniteti i vendeve, është goditja më e rëndë ndaj tiranëve dhe tiranive të tyre. Liri Ukrainës dhe popullit të saj!”, ka shtuar Konjufca.


Shtuar 25.02.2024 00:28