Kryetari i parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca, u shpreh ditën e sotme se Bashkimi Evropian nuk ka kompetencë t’i propozojë Kosovës projekt statut për Asociacionin e komunave serbe, disa muaj pasi qeveria mori një propozim nga udhëheqësit më të lartë evropian për këtë çështje.
Këto komente ai i bëri në përgjigje të deklaratave të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, një dite më parë i cili i bëri thirrje qeverisë së Kosovës të kërkojë sa më shpejt mendimin e Gjykatës Kushtetuese për projekt statutin e hartuar nga perëndimi për këtë Asociacion.
“Është gabim të mendosh se është kompetencë e Bashkimit Evropian që të na caktoj neve, e kompetencë e jona vetëm ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese. Ndoshta zoti Hovenier e ka pasur fjalën që Kosova të propozoj një draft të Asociaconit… Unë e kam kuptuar që Kosova t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me një draft, por unë nuk mendoj se është kompetencë e BE-së t’i propozojë draft Kosovës dhe nuk mendoj që Kosova duhet të qëndrojë gatitu dhe ta dërgojë draftin që BE-ja e propozon. Nuk pajtohem me këtë procedure”, tha zoti Konjufca.
Në tetor të vitit të kaluar diplomatët perëndimorë paraqitën një projekt statut për themelimin e Asociacionit duke i bërë thirrje qeverisë së Kosovës për fillimin e punës për zbatimin e tij dhe ndërsa Beogradit të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se propozimi parasheh që Gjykata Kushtetuese të jep vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës kushtetuese të vendit.
Ai tha se ishte i gatshëm të nënshkruajë projektin nëse Serbia pajtohet të nënshkruaj marrëveshjet e arritura një vit më parë në Bruksel dhe Ohër. Por, Serbia ka pohuar se do nuk do të zbatojë marrëveshjet që çojnë në njohjen de facto të Kosovës.
Ambasadori amerikan i bëri thirrje qeverisë të bëjë pjesën e saj të punës duke dërguar në Kushtetuese projekt statutin.
“Në këtë mënyrë, Kosova do të përfitonte në mënyrë thelbësore. Do të ketë një përgjigje nëse është kushtetues apo jo, do të dihet a ka përgjegjësi ekzekutive apo jo dhe mendojmë se vetëm Gjykata mund ta japë atë vlerësim”, tha ambasadori amerikan duke nënvizuar se kjo do të pasqyronte përkushtimin e Kosovës për t’i përmbushur detyrimet e saj.
Ai tha se po të ishte themeluar Asociacioni, nuk do të ishin krijuar shqetësimet lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë. Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi, por edhe për tensionet ndërmjet palëve.
Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar Kosovën dhe kanë paralajmëruar se partneriteti ndërmjet dy qeverive është dëmtuar me qasjen e saj ndaj çështjes së dinarit./ VOA