Njësia e përbashkët mjekësore e KFOR-it (JMED), së bashku me personelin e Komandës Rajonale-Lindje (RC-E), zhvilloi një trajnim për evakuimin mjekësor dhe njohjen me procedurat e përdorimit të helikopterëve. Aktiviteti u mbajt në Kampin Film City në Prishtinë dhe në Kampin Bondsteel në Ferizaj.
Të lidhura
None found
Në këtë stërvitje morën pjesë personel mjekësor shumëkombësh dhe ekuipazhe të aviacionit nga e gjithë zona e operimit të KFOR-it, me synim rritjen e aftësive për reagim ndaj emergjencave mjekësore.
Pjesëmarrësit praktikuan marrjen dhe zbritjen e pacientëve nga helikopterë aktivë dhe joaktivë, ndërsa ushtruan edhe procedurat për ngritjen e pacientëve me vinç ajror (hoisting).
KFOR bëri të ditur se kombinimi i praktikës me shkëmbimin e përvojës u mundësoi pjesëmarrësve të thellonin njohuritë për sigurinë në aviacion dhe të përmirësonin bashkëpunimin profesional ndërmjet njësive të misionit.
Sipas misionit, trajnimi pasqyron përkushtimin e vazhdueshëm për ruajtjen e gatishmërisë mjekësore dhe të ndërgjegjësimit situacional, duke ndihmuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë.
KFOR vijon përmbushjen e mandatit të tij në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, sipas roleve që secili institucion ka në fushën e sigurisë.
