Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë pajtuar që Bekim Sejdiu të jetë kandidat për President të Kosovës, duke tentuar t’i japin fund krizës dhe bllokadës së gjatë institucionale.
None found
Megjithatë, marrëveshja mes dy subjekteve politike nuk garanton se kandidatura do të marrë votat e nevojshme në Kuvend. LVV dhe LDK numërojnë gjithsej 71 deputetë, ndërsa në dy raundet e para kërkohen 80 vota.
Për arritjen e këtij numri, rëndësi të veçantë pritet të kenë deputetët e komuniteteve joshumicë, disa prej të cilëve kanë deklaruar se e mbështesin Sejdiun.
Brenda LDK-së, kundër marrëveshjes ka dalë publikisht deputeti dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti. Ndërkohë, PDK-ja ka njoftuar se nuk do ta votojë kandidaturën.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se partia e tij nuk është pjesë e marrëveshjes dhe se qëndrimi i saj nuk ka ndryshuar.
Qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe AAK-ja. Kryetari i saj, Ardian Gjini, ka deklaruar se partia nuk ndihet e obliguar nga marrëveshjet e subjekteve të tjera dhe ka rikujtuar se pozicioni i AAK-së është bërë i qartë që nga 7 qershori.
Si rrjedhojë, edhe pas dakordimit mes LVV-së dhe LDK-së dhe mbështetjes së disa deputetëve të komuniteteve, sigurimi i 80 votave mbetet pengesa kryesore për zgjedhjen e Bekim Sejdiut.
Jakupi: Abdixhiku përballet me testin kryesor politik
Analisti politik Zejnullah Jakupi thotë se debati për Bekim Sejdiun nuk lidhet vetëm me përshtatshmërinë e tij për postin e Presidentit. Sipas tij, kandidatura është përfshirë në përplasjet e brendshme të LDK-së dhe në marrëdhëniet politike të kësaj partie me Vetëvendosjen.
Jakupi vlerëson se Sejdiu është shndërruar në simbol të kursit politik të ndjekur nga Lumir Abdixhiku, veçanërisht të marrëveshjes me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen.
Ai thekson se një pjesë e kundërshtimeve në LDK nuk burojnë domosdoshmërisht nga figura e kandidatit, por nga mospajtimi me orientimin e ri politik të partisë dhe me mundësinë që ajo të bëhet pjesë e një zgjidhjeje që do t’i krijonte Kurtit mundësi për të udhëhequr qeverinë.
Sipas tij, për këtë arsye duhet dalluar kundërshtimi personal ndaj Sejdiut nga refuzimi i marrëveshjes politike dhe i drejtimit që po merr LDK-ja.
Në aspektin parlamentar, Jakupi shpjegon se rezultati varet nga shkalla e unitetit të LDK-së dhe nga votat e komuniteteve. Ai shton se PDK-ja dhe pjesa tjetër e opozitës mund të ndikojnë përmes votës, mungesës ose bojkotit, ndërsa kalimi në raundin e tretë do ta lehtësonte zgjedhjen për Vetëvendosjen.
“Vetëvendosja ka 53 deputetë, ndërsa LDK-ja 18, që do të thotë se bashkë arrijnë në 71 vota. Meqë në dy raundet e para kërkohen 80 vota, marrëveshja VV–LDK nuk mjafton pa mbështetjen e komuniteteve”, ka deklaruar Jakupi.
Ai vlerëson se, nëse LDK-ja qëndron kryesisht e bashkuar dhe siguron shumicën e 18 deputetëve të saj, zgjedhja e Sejdiut mund të realizohet me votat e komuniteteve.
Por situata do të ndërlikohej nëse një numër i konsiderueshëm i deputetëve të LDK-së do të votonin kundër ose nuk do të merrnin pjesë në proces. Në rast se katër deputetë të LDK-së nuk e mbështesin kandidatin, dy partitë do të kishin 67 vota dhe do t’u duheshin edhe 13 vota nga komunitetet për të arritur kuotën prej 80 votash.
Jakupi e konsideron të rëndësishëm edhe qëndrimin e opozitës, veçanërisht atë të PDK-së, e cila ka 22 deputetë. Sipas tij, PDK-ja nuk është e detyruar ta votojë Sejdiun për të ndikuar në proces, pasi mungesa ose pamundësia për të krijuar kuorum në dy raundet e para mund të përdoret si mjet politik.
Megjithatë, analisti vëren se bojkoti i opozitës mund të mos mjaftojë nëse procesi kalon në raundin e tretë. Në këtë fazë nevojiten 61 vota, ndërsa Vetëvendosjes, me 53 deputetë, do t’i duheshin teorikisht vetëm tetë vota shtesë.
“Testi kryesor politik i kësaj situate është për Lumir Abdixhikun. Nëse ai e mban shumicën e Grupit Parlamentar të LDK-së të bashkuar rreth marrëveshjes, do të tregojë se e ka nën kontroll politik partinë dhe se LDK-ja mund të ndikojë në vendimmarrje edhe përballë një force shumë më të madhe si Vetëvendosja”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Ndërsa, nëse një pjesë e madhe e deputetëve të LDK-së e refuzon marrëveshjen, sipas Jakupit, çështja nuk do të mbetet vetëm te kandidatura e Sejdiut, por do të shndërrohet në krizë të autoritetit të kryetarit të partisë.
Jakupi e përshkruan procesin si një përballje në dy plane. Në nivel institucional bëhet fjalë për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa në nivel partiak diskutohet drejtimi i ardhshëm i LDK-së.
Sa u përket pretendimeve se krahu kundërshtues ndaj Abdixhikut ndikohet nga PDK-ja, ai thotë se mund të ketë përputhje interesash politike ose konvergjencë objektive me interesat e PDK-së, edhe nëse nuk ka koordinim formal.
“Pyetja përfundimtare nuk është vetëm nëse Bekim Sejdiu do të zgjidhet President. Thelbi është nëse Lumir Abdixhiku do të arrijë ta ruajë unitetin e LDK-së dhe ta shfrytëzojë marrëveshjen me Vetëvendosjen për ta rikthyer partinë në qendër të vendimmarrjes politike”, ka përfunduar Jakupi.
Makolli: Kundërshtimet në LDK lidhen edhe me raportet me Vetëvendosjen
Analisti politik Vesel Makolli, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, e ka kritikuar situatën në Kuvendin e Kosovës, të cilën e ka cilësuar si një “teatër” me pasoja të rënda për vendin.
Makolli ka shprehur shqetësim për zgjatjen e krizës institucionale dhe ka kritikuar Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin, duke thënë se nuk kanë treguar angazhim të mjaftueshëm për kapërcimin e përçarjeve brenda LDK-së.
Sipas tij, në një situatë të tillë nevojiten dialogu, sqarimi i qëndrimeve dhe përpjekje konkrete për ruajtjen e unitetit të grupit parlamentar, në mënyrë që përçarjet të mos ndikojnë në krijimin e institucioneve.
Ai ka thënë se disa deputetë të LDK-së po e kundërshtojnë Bekim Sejdiun pasi e konsiderojnë atë kandidat jo-konsensual dhe të lidhur me vullnetin e shumicës.
Makolli ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, Vetëvendosja po e trajton procesin, duke paralajmëruar se zvarritja e afateve dhe mungesa e sqarimeve mund ta zgjasin krizën institucionale dhe të çojnë në zgjedhje të reja.
Ai ka vlerësuar se Sejdiu, duke qenë profesionist i së drejtës dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, duhej ta trajtonte më seriozisht shkeljen kushtetuese që, sipas Makollit, është shkaktuar nga Vetëvendosja përmes shtyrjes së panevojshme të afateve dhe mungesës së komunikimit të duhur me LDK-në.
Sipas analistit, paraqitja e kandidatit ka lënë përshtypjen se nuk bëhet fjalë për një figurë që synon bashkimin e forcave politike në Kuvend, por për një kandidaturë të afërt me vullnetin e shumicës.
Makolli ka theksuar se mbledhja e sotshme e Kryesisë së LDK-së do të jetë vendimtare për krijimin e institucioneve ose për vazhdimin e ciklit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Kundërshtimi i disa deputetëve të LDK-së nuk lidhet vetëm me anën personale të kandidatit. Ai ka të bëjë edhe me raportet mes dy partive. Kandidatura e Bekim Sejdiut nuk është konsensuale në kuptimin e plotë të fjalës dhe nuk përfaqëson interesat politike e parimore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe elektoratit të saj”, ka deklaruar Makolli.
Prokuroria Themelore Publike në Shkup lëshoi Urdhër për të zhvilluar procedurë hetimore kundër një personi 19-vjeçar të dyshuar për kryerjen…
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e 34-të, e cila është mbajtur në formë elektronike.…
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje që Bekim Sejdiu të jetë kandidat për postin e Presidentit…
Brighton ka arritur marrëveshje me Stuttgartin për transferimin e mesfushorit spanjoll Chema Andres për rreth 27 milionë euro. 21-vjeçari bëhet…
Atlético Madridi ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit kanadez Jonathan David, i cili i bashkohet klubit spanjoll nga Juventusi në formë…
Pas dy orësh rrethuar nga protestuesit në Kryeministri, Edi Rama është larguar nga zyra sapo qytetarët janë zhvendosur për të…