Një defekt në furnizimin me energji elektrike ka lënë të bllokuar minatorët në horizontet e minierës së Stantërgut, ka bërë të ditur Ibrahim Januzi, kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës.
Të lidhura
None found
Sipas Januzit, problemi është shfaqur rreth orës 19:30, pasi janë djegur linjat e tensionit të lartë dhe është evidentuar një defekt në trafostacionin e tunelit të parë.
Ndërkohë, disa prej minatorëve kanë filluar të largohen përmes daljeve alternative. Minatori i parë, sipas informacioneve të pranuara nga Januzi, tashmë ka dalë nga miniera, ndërsa pritet që edhe grupet e tjera të ndjekin të njëjtën rrugë.
Komunikimi me punëtorët po mbahet përmes linjës telefonike me tela induktiv, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore raportohet stabile dhe pa shqetësime të veçanta.
Januzi ka treguar se njëri prej minatorëve ka problem me këmbën, çka mund ta vështirësojë daljen e tij në këmbë.
Pas komunikimit me menaxhmentin dhe marrjes së të dhënave nga vendi i ngjarjes, ai ka vlerësuar se linja që furnizon minierën nuk ka pësuar dëmtime të mëdha dhe se riparimi i saj mund të përfundojë brenda një kohe më të shkurtër.
Defektet e shfaqura në sektorin e flotacionit, sipas kryetarit të Sindikatës, nuk e pengojnë nxjerrjen e minatorëve, pasi ai sektor nuk është i lidhur me liftin që shërben për transportimin e tyre jashtë minierës.
Januzi ka ngritur shqetësimin për mungesën e investimeve dhe për gjendjen e amortizuar të pajisjeve, duke theksuar se probleme të ngjashme janë shfaqur edhe në të kaluarën.
Ai ka thënë se trafostacionet shumë të vjetra dhe mungesa e investimeve bëjnë që minatorët të mbeten shpesh të bllokuar brenda minierës.
Gjithashtu, sipas tij, mungesa e një burimi alternativ të furnizimit me energji i detyron minatorët të qëndrojnë të ngujuar për orë të tëra, situatë të cilën e ka cilësuar si kërcënim për jetën dhe shëndetin e tyre.






