Sipas vlerësimit të Avokatit të Popullit, nëpunësve publikë nuk duhet t’u kërkohet që të rikthejnë shumat e përfituara, pasi u janë ulur koeficientët e pagave. Ky qëndrim u bë i ditur përmes një përmbledhjeje të opinionit që institucioni publikoi lidhur me këtë problematikë.
Të lidhura
None found
Rasti ka nisur nga detyra zyrtare, pasi Avokati i Popullit regjistroi një sërë ankesash. Sipas të dhënave, kjo situatë prek një grup të gjerë punonjësish të administratës shtetërore dhe ka ngritur shqetësime mbi praktikat e ndjekura.
Analiza e institucionit u fokusua te procesi i ndreqjes së koeficientëve, i cili pasoi hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik. Mbi këtë bazë, Avokati i Popullit argumenton se rishikimi i koeficientëve është një veprimtari administrative, prandaj ai do të duhej të përputhej me kërkesat e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Opinioni thekson se veprimet administrative me ndikim prapaveprues lejohen vetëm kur ligji i parashikon ato në mënyrë të shprehur. Megjithatë, deri tani nuk ka prova që institucionet përkatëse t’i kenë zbatuar këto rregulla gjatë procesit të uljes së koeficientëve.
Sipas Avokatit të Popullit, çdo ndryshim i të ardhurave të punonjësve, pa u përmbushur kërkesat ligjore, cenon parimin e sigurisë juridike dhe pritshmëritë e arsyeshme të tyre. Madje, ky mekanizëm i korrigjimit të pagave mund të ketë dëmtuar edhe të drejtën e pronës së të prekurve.
“Obligimi i punonjësve që të kthejnë në mënyrë retroaktive diferencën e pagës, siç duket, nuk përputhet me parimet e shtetit të së drejtës,” theksohet në opinion, raporton KosovaPress.
Për pasojë, Avokati i Popullit u drejtohet Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë dhe organeve të tjera përgjegjëse, duke kërkuar që ato të respektojnë kuadrin ligjor në fuqi dhe të garantojnë parimin e sigurisë juridike për të gjithë të punësuarit në sektorin shtetëror.
